Aktuale

Ndotja e ajrit e vë në lëvizje ministrin Matoshi, kërkon të konrollohet cilësia e karburantëve

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot ka dërguar katër kërkesa në drejtim të institucioneve, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së ajrit, dhe parandalimit të ndotjes.

Në kërkesën e dërguar ministrit të Tregtisë, Endrit Shalës, është thënë që duhet të kontrollohet cilësia e karburanteve nëpër pikat doganore dhe gjithashtu edhe nëpër pikat e shitjes, pasi siç potencon kërkesa e ministrisë një nga faktorët kryesor të ndotjes është cilësia e dobët e karburanteve që shfrytëzohen në Kosovë.

Një kërkesë e ngjashme i është dërguar edhe kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit, të cilit i është kërkuar që të respektojë në përpikmëri vendimin e Qeverisë së Kosovës që ndalon djegien e thëngjillit dhe shfrytëzimin e tij si lëndë për ngrohje.

Nga ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, është kërkuar që të organizojë një fushatë vetëdijesuese për qytetarët e Kosovës që të mos e përdorin thëngjillin për ngrohje, bazuar në pasojat shëndetësore që shkakton.

Matoshi gjithashtu një kërkesë të ngjashme ia ka nisur edhe ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekajt, të cilit i ka kërkuar që të zbatohet urdhëresa administrative për normat e lejuara të shkarkimeve në ajër nga burimet e lëvizshme të ndotjes.

Këto kërkesa të ministrit të Ambientit, Matoshi, vijnë pas gjendjes alarmante me cilësinë e ajrit në Prishtinë.

Vitin e kaluar ishin marrë po ashtu masa të ndryshme për përmirësimin e cilësisë së ajrit në kryeqytet, megjithatë e njëjta situatë po përsëritet edhe këtë vit./GazetaExpress/

the authorBurbuqe Metolli