Rajon & Botë

Në Indi burrat po agjërojnë deri në vdekje për ta mbrojtur lumin “Gang”

Gjatë dy dekadave të fundit, shumë burra në Indi kanë agjëruar për t’i bërë presion qeverive që ta mbajnë premtimin e tyre për ta ruajtur nga ndotja lumin Gang, i cili adhurohet nga populli hindu. Vdekja e njërit prej grevistëve të urisë ishte bërë kryelajm në mediet botërore.

Në një pushimore të qetë afër qytetit Haridwar, një parashikues fati thotë se është i gatshëm të vdes për lumin “Gang”. Personi i quajtur Atmabodhanad është në ditën e dyzetë të agjërimit, të cilin e ka filluar pak kohë pas vdekjes së njërit prej banorëve. Ish-studenti 26-vjeçar i shkencave kompjuterike i kalon ditët i mbuluar me batanije në një shtrat që e ka vendosur nën një dru të mangos. Kur vjen nata, ai futet në kasolle dhe fle.

Arsyeja pse këta burra po protestojnë për ta mbrojtur lumin është se në të ndodhet një tempull ku ata falen. Djaloshi nuk është duke ngrënë që nga 24 tetori dhe tash po mbijeton duke përdorur vetëm ujë, kripë dhe mjaltë. Ai është personi i gjashtëdhjetë që e ka filluar këtë lloj protestimi, që nga viti 1997. Duke përdorur një kombinim të aktivizmit qytetar dhe grevës së urisë, banorët kanë bërë trysni ndaj qeverive që ta ndalojnë nxjerrjen e rërës, ta pastrojnë lumin dhe të nxjerrin ligje për mbrojtjen e tij.

Shumë qeveri janë dorëzuar para kërkesave të tyre në të kaluarën. Para shtatë vitesh, një 36-vjeçar kishte rënë në gjendje kome dhe kishte vdekur, pasi kishte refuzuar që të hante ushqim për 115 ditë, që paraqet grevën më të gjatë të urisë, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

the authorBurbuqe Metolli