Arsim & Kulturë

Në Javën e gjuhës italiane, shfaqet filmi “Sinestesia”

Në kuadër të Javës së gjuhës Italiane në Kosovë me moton “Italishtja dhe krijimtaria: marka, tradita, moda dhe dizajni”, sot është shfaqur filmi “Sinestesia”, i autorit Erik Bernasconi.

Filmi është një prodhim zviceran, në gjuhën italiane, që dëshmon harmoninë dhe bashkëpunimin midis dy vendeve.

Me kërë rast, ambasadori i Italisë në Prishtinë, Piero Cristoforo Sardi tha se arsyeja pse ky film i prodhimit zviceran shfaqet përgjatë javës italiane, është se njëra prej gjuhëve zyrtare të në Zvicër,  është gjuha italiane.

 

“Sonte është shfaqja e filmit “Sinestesia”, që është një prodhim zviceran, mirëpo në gjuhën italiane, që edhe njëherë e dëshmon harmoninë midis dy vendeve edhe bashkëpunimit që bëhet në kuadër të gjuhës italiane  në botë… Siç e dini, njëra prej gjuhëve zyrtare të Zvicrës është edhe gjuha italiane, prandaj edhe filmi mbahet në kuadër të Javës së gjuhës italiane. Ky është eventi i tretë që organizohet në kuadër të organizimit për Javës së gjuhës italiane në botë, që ka filluar në javën e kaluar, pra më 12 tetor edhe zgjat edhe 15 ditë”, tha Sardi.

Ndërsa, ambasadori i Zvicrës në Prishtinë, Jean-Hubert Lebet tha se është i lumtur që po feston për italishten së  bashku me komitetin italian në Kosovë.

Ai shtoi se  pluralizmi kulturor, fetar edhe gjuhësor, është veçantia e jetës në Zvicër dhe sipas tij, pluralizmi gjuhësor është një sfidë që kërkon vazhdimësi.

 

“Jam i lumtur që festojmë për italishten së bashku me komitetin italian në Kosovë edhe me ju që jeni prezent në ambasadë. Pluralizmi kulturor, fetar dhe gjuhësor, është veçantia e jetës sonë në Zvicër. Dëshira e të gjitha komiteteve që jetojnë në Zvicër, pra harmonia e tyre në kulturë edhe në gjuhë, e bën të veçantë popullin tonë zviceran. Pluralizmi gjuhësor është një forcë dhe një  sfidë që kërkon vazhdimësi dhe ngulm, mbi të gjitha, vullnetit për të jetuar të gjithë së bashku. Jam i lumtur të paraqes filmin tonë ‘Sinestesia’, para jush”, tha Lebet.

Filmi “Sinestesia” përshkruan peripecitë e katër të rinjve në dy momente të jetëve të tyre, të cilat më pas lidhen  me dy episode dramatike që kanë ngjarë gjatë tre vjet, deri sa ata ishin larg njëri-tjetrit. Vitet mes tyre i bëjnë personazhet të përballen me gëzimet dhe vështirësitë e zakonshme të jetës së përditshme. Megjithatë, atyre u duhet të reagojnë edhe ndaj fatit, i cili hera-herës i nxjerr ata përpara udhëkryqeve.

Ky është eventi i tretë që organizohet në kuadër të organizimit të Javës së gjuhës italiane në botë.

Filmi “Sinestesia” do të rishfaqet këtë të shtunë në orën 18:00 në Prizren në “Kino Club”./KP