Në Kolegjin AAB filluan punimet e Konferencës Ndërkombëtare për Gjuhësi, letërsi dhe kulturë

Në Kolegjin AAB është bërë hapja solemne e Konferencës Shkencore Ndërkombëtare ICLLC 2016, “Gjuhësi, letërsi dhe kulturë”.

Hapjen e kësaj konference e bëri dekania e Fakultetit të Gjuhës Angleze, Venera Llunji, e cila tha se ky fakultet, në dhjetë vitet e saja të para të ekzistencës, ka nxjerrë shumë mësues të gjuhës angleze, përkthesë dhe interpretues, madje edhe gazetarë.

Ndërkaq, rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, duke u uruar mirëseardhje pjesëmarrësve në këtë konferencë, tha se “për një dekadë e gjysmë të themelimit, AAB-ja është bërë qendër e rëndësishme akademike e shkencore, jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon e më gjerë”.

“Ne në AAB organizojmë shumë konferenca shkencore dhe ne vazhdimisht e ritheksojmë se shkenca përbënë faktorin themelor, tejet të nevojshëm, për të përballuar sfidat e mëdha që na presin në një Evropë të integruar, gjithnjë e më shumë konkurruese. Komponenta shkencore është e domosdoshme për rrugën tonë si shoqëri drejt Evropës, ku ne si shoqëri dhe shtet synojmë ta kemi një vend me dinjitet dhe të merituar. Duke e kuptuar rëndësinë e shkencës dhe rolin e saj në përgjithësi, AAB-ja si institucion i Arsimit të lartë i ka kushtuar rëndësi të veçantë ngritjes së kapaciteteve të brendshme për të avancuar këtë komponentë”, u shpreh rektori Tafa.

Sipas tij, puna kërkimore-shkencore në AAB është një pjesë e rëndësishme dhe e pandashme nga  aktiviteti akademik.

“Me qëllim të përmbushjes së nevojës për hulumtime të mirëfillta AAB ka themeluar  Institutin Për Hulumtime Shkencore AAB, në kuadër të të cilit funksionojnë 8 qendra të ndryshme hulumtuese: Qendra Hulumtuese për Drejtësi, Kriminalistikë dhe Studime të Sigurisë, Qendra për Zhvillim dhe Prognoza Ekonomike; Qendra për Hulumtimin e Opinionit; Qendra për Hulumtime Sociale dhe Gjuhësore; Qendra për Hulumtime në Sport; Qendra për Arkitekturë dhe Arte; Qendra Kulturore dhe Qendra për të Drejtat e Njeriut”, njoftoi rektori Tafa.

Qëllimi parësor i këtyre qendrave, sipas tij, është përmbushja e komponentit kërkimor-shkencor, krahas atij akademik dhe përfshirja sa më e madhe e Kolegjit AAB në punën kërkimore-shkencore, ku, vazhdon rektori Tafa, “këto qendra janë të lidhura me njësitë akademike dhe i kushtojnë një rëndësi të madhe ndërlidhjes së kërkimit shkencor me mësimdhënien”.

Rektori Tafa tha se krahas përpjekjeve që Kolegji AAB ka bërë për të ngritur kapacitetet e tij, si pedagogjike ashtu  edhe ato të infrastrukturës, AAB ka vendosur që duke treguar respektin e madh për punën dhe kontributin e punëtorëve shkencorë në vende të ndryshme të botës, të bëjë përpjekje që të sjellë në vendin tonë përvojat dhe kontributet e tyre, duke shpresuar dhe besuar shumë se nga këto përvoja do të përfitojnë të gjithë, e ne veçanti studentët e Kolegjit AAB.

“Tema e konferencës së sotshme është një temë shumë rëndësishme dhe organizohet me rastin e 400 vjetorit të vdekjes së Shkrimtarit, dramaturgut, komediografit dhe gjeniut nga më të mëdhenjtë në historinë botërorë të artit dhe letërsisë Uilliam Shekspir, i cili e ngriti artin dramatik në majat më të larta botërore. Veprat e tij paraqesin njërën prej shtyllave kryesore të krijimit të identitetit të Evropës historike. Andaj edhe punimet e kësaj konference sot, do të mbahen në frymë e këtij përvjetori të përkujtimit të këtij shkrimtari, që me artin e tij arriti të ndryshoj botën”, vlerësoi rektori Tafa.

Ai than se, në kohën kur njerëzimi po përballet me probleme e me sfida të mëdha, le te shërbejë kjo konferencë për gjuhën, letërsinë e kulturën, për promovimin dhe afirmimin e kulturave  të popujve të ndryshëm, ku sipas tij, rruga më e mirë për ta arritur këtë synim, është rruga e artit, letërsisë dhe e kulturës në përgjithësi.

Konferenca Shkencore Ndërkombëtare ICLLC 2016, “Gjuhësi, letërsi dhe kulturë”,  është e organizuar me rastin e 400-vjetorit të vdekjes së Shekspirit  nga Kolegji AAB,  në partneritet me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit  të  Tiranës (UT), Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës (UAMD), Fakultetin Gjuhë dhe Letërsi Angleze të Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL),   English Language Teachers Association (ELTA), dhe Kosova English Teachers Network (KETNET), etj.

Pjesëmarrës në hapjen solemne të kësaj konference ishin edhe përfaqësues të lartë të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, pjesëmarrës në konferencë, e cila po vazhdon punimet, janë një numër i madh i studiuesve nga shumë vende të rajonit e më gjerë. Për më shumë informata rreth programit të kësaj konference, klikoni në këtë link:  http://konferencat.aab-edu.net/icllc/agenda.html