Arsim & Kulturë

Në Kolegjin AAB nisi viti i ri akademik

Sot me një ceremoni solemne, Kolegji AAB nisi vitin e ri akademik 2019/2020 në tri degët e Kolegjit, në Prishtinë, Ferizaj dhe Gjakovë.

Me këtë rast, rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, iu uroi mirëseardhje studentëve të rinj duke u shprehur i lumtur që karrierën akademike e profesionale ia kanë besuar AAB-së.

“Kjo ditë nuk është e rëndësishme vetëm për ju por edhe për të gjithë ne, sepse ju sot po e filloni etapën më të rëndësishme të jetës tuaj, po filloni jetën studentore dhe këtë po e bëni me ne”, u shpreh rektori Tafa.

Siç dihet Kolegji AAB ka nënshkruajtur marrëveshje me partnerë gjermanë për studentët e mjekësisë që dëshirojnë të punojnë pas diplomimit, dhe kështu rektori Tafa, shtoi se AAB-ja i ka kushtuar rëndësi të madhe përgaditjes së kuadrove për treg të punës dhe jo vetëm për Kosovë por edhe për tregun rajonal, atë të BE-së por edhe atë global.

“Ju jeni student të fushës së mjekësisë dhe tregu Evropian është i hapur për ju, ne kemi një marrëveshje me partnerët tanë nga Gjermania, pothuajse për të gjithë që dëshirojnë të punojnë atje pas diplomimit, tregu në Kosovë dhe ai Evropian ka shumë nevojë për profesionet e juaja sidomos tregu Gjerman”, shtoi rektori Tafa.

Në ceremoninë e fillimit të vitit të ri akademik për të iu uruar mirëseardhje studentëve ishte edhe zëvendëskryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, ku përgëzoi studentët për përzgjedhjen e tyre, si dhe shtoi se AAB-ja është njëra ndër krenaritë e vendit tonë që e ngrit Kosovën lartë.

“Vetë pjesëmarrja juaj këtu masovike në këtë universitet, vetë numri i studentëve, kolegëve tuaj që gjenden këtu dhe ata që mendojnë të vinë këtu tregon se këtu është një universitet jashtëzakonisht i rëndësishëm, një universitet me një staf akademik të spikatur, një universitet që ka bërë hapa marramendëse në krijimin e kushteve për të studiuar, kushte për ju dhe në cilësinë akademike”, u shpreh zëvendëskryeministri në detyrë Pacolli.

Mirëseardhje studentëve në Kolegjin AAB ju uruan edhe dekani i Infermierisë, Idriz Sopjani dhe dekani i fakultetit të Stomatologjisë, Astrit Kuçi, të cilët u shprehën të lumtur që të gjithë këta studentë kanë zgjedhur vendin e duhur për ti realizuar ëndërrat e tyre.

Vlen të theksohet se ligjëratat në Kolegjin AAB për studentët e rregullt do të fillojnë të hënën me datë 07 tetor 2019, sipas orareve të përcaktuara./GazetaKNN/