Arsim & Kulturë

Në Kolegjin AAB u mbajt tryezë debati me temën “Infermieria, zëri që udhëheq”

Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë, 12 Majit, Fakulteti i Infermierisë të Kolegjit AAB për një javë organizoi aktivitete të ndryshme dhe mbajti edhe një tryezë debati ku u diskutua për sfidat e infermierëve dhe për fuqizimin e tyre.

Me këtë rast, zv.rektori i Kolegjit AAB, Shemsedin Vehapi, përshëndeti këto aktivitete të organizuara për Ditën e Infermierisë duke theksuar se Kolegji AAB si institucion i arsimit të lartë gjithmonë mbështet iniciativat që janë në të mirë të studentëve.

“Fakti që po na gëzon, Kolegji AAB dhe stafi i tij ka filluar me marrë një rol shumë aktiv sidomos në ngjarjet promovuese të cilat ngrisin vetëdijen tek qytetari por që është me rëndësi të ngritet edhe vetëdija tek politikëbërësit”, u shpreh zv.rektori Vehapi.

Pjesë e këtij debati ishte edhe drejtoresha e Infermierisë në QKUK, Lirije Beqiri, e cila përgëzoi AAB-në me organizimin e këtyre aktiviteteteve si dhe theksoi se infermierët gjithmonë duhet t’a ngrisin zërin për parregullsitë dhe për të drejtat e tyre pasi që ky profesion është mjaft i rëndësishëm dhe i vështirë për të mbajtur.

Në këtë tryezë diskutimi e pranishme ishte edhe Blerina Duka, e cila është Presidente e Urdhërit të Infermierit të Shqipërisë, e cila vlerësoi lartë dhurimin vullnetar të gjakut në aktivitetet e Kolegjit AAB si dhe theksoi se figura e infermierit në Shqipëri duhet të ketë një trajtim ndryshe më të veçantë nga ministria e shëndetësisë pasi që ky profesion është shumë i kërkuar nga të rinjtë.

Ndërsa, profesoresha Sajmira Aderaj nga Shqipëria, në këtë tryezë debati kishte përgatitur një ligjëratë në lidhje me infermierinë dhe historikun e saj si dhe vazhdoi duke bërë një krahasim në mes infermierëve të Kosovës dhe Shqipërise, e cila theksoi se këto dy vende kanë shumë të përbashkëta.

Kujtojmë se studentët nga Fakulteti i Infermierisë të Kolegjit AAB dhe stafi menaxhues, gjatë kësaj jave kanë organizuar aktivitete të ndryshme, ku kanë mundësuar dhurimin vullnetar të gjakut, pastaj qytetarët kanë pasur mundësi të marrin edhe ligjërata për edukimin shëndetësor si dhe shërbime shëndetësore në sheshet e qyteteve të Kosovës./GazetaKNN/