Arsim & Kulturë

Në Kolegjin AAB u mbajt tryezë debati me temën “Mbështetja psiko-socale nga komuniteti dhe roli i medias”

Në shënim të Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, në Kolegjin AAB u organizua tryezë diskutimi në bashkëpunim me OJQ “Autizmi”, me temën “Mbështetja psiko-socale nga komuniteti dhe roli i medias”.

Me këtë rast, zv.rektori i Kolegjit AAB, Shemsedin Vehapi, në fjalën e tij përshëndeti këtë aktivitet duke thënë se Kolegji AAB është gjithmonë përkrah iniciativave për vetëdijsimin e qytetarëve për personat me autizëm.

“Përpjekjet tona që teorinë me e lidh drejtpërdrejtë me praktikën, që dijet që fitohen të bëhen më të thella, që dijet të bëhen më të qëndrueshme, realizohen këto aktivitete, kjo është e pakta që çfarë mund të bëjë Kolegji AAB për një kategori të cilët janë të identifikuar me sëmundjen e autizmit”, u shpreh prorektori Vehapi.

Ndërsa, drejtoresha për terapi në OJQ “Autizmi”, Sunita Kurti, foli më shumë për autizmin duke treguar se autizmi është çrregullim neurologjik, i cili shfaqet me vështirësi në komunikim.

“Fëmijët autikë kanë probleme të komunikimit, mbyllen në vetvete, nuk krijojnë lidhje emocionale, nuk shoqërohen me moshatarët, fiksohen pas një sendi apo objekti, etj.. Përpjekjet e mjekësisë botërore ende vazhdojnë të hulumtojnë rreth autizmit”, tha Sunita Kurti.

Tutje, dekani i Fakultetit të Komunikimit Masiv, Resul Sinani, vlerësoi se media mund të jetë burim primar për marrjen e informatave për disa qytetarë si dhe gazetarët e kanë vullnetin dhe ndjeshmërinë për ndërgjegjësimin e opinionit publik.

“Në këtë rast roli i mediave bëhet vendimtar për prindërit apo familjarët të cilët mund të kenë një fëmijë me shenja të autizmit por që nuk e dinë se çfarë mund të jenë. Informatat që merr nga një lajm apo një intervistë e një profesionisti në media mund të jenë momenti i parë që një prindi ia tërheqin vëmendjen se fëmija i tij mund të jetë i prekur nga autizmi”, dekani Resul Sinani.

Dekanja e Fakultetit të Psikologjisë, Mimoza Kamberi tha se Kolegji AAB vite me radhë ka shprehur gatishmërinë në përkrahjen e iniciativave të marra, qoftë nga studentët e AAB-së apo edhe përmes aktiviteteve të përbashkëta me organizatën Autizmi, me synim të rritjes së vetëdijesimit se personat me autizëm janë të barabartë me të tjerët.

Ndërsa Hatixhe Krasniqi, në cilësinë e prindit të fëmijës me autizëm, foli për sfidat dhe vështirësitë që kanë kaluar, si prindër, që nga momenti kur kanë kuptuar që kanë fëmijën me autizëm, duke thënë se shoqëria duhet të kuptojë që në mesin tonë ka edhe fëmijë ndryshe dhe mos t’i paragjykojë ata.

Në kuadër të kësaj tryeze u zhvillua edhe një debat, ku studentët e Kolegjit AAB parashtruan pyetje, të cilave iu përgjigjen penalistët./GazetaKNN/