Arsim & Kulturë

Në Kolegjin AAB u mbajt tryezë debati me temën “Roli i inovacioneve në zhvillimin ekonomik të Kosovës”

Në kuadër të shënimit të Javës Botërore të Kreativitetit dhe Inovacionit, Kolegji AAB organizoi tryezë me temën “ Roli i inovacioneve në zhvillimin ekonomik të Kosovës”, duke diskutuar për kreativitetin dhe inovacionin si çelës i zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Me këtë rast, zv.rektori i Kolegjit AAB, Shemsedin Vehapi, përshëndeti këtë aktivitet duke theksuar se iniciativa të tilla janë të rëndësishme për Kolegjin AAB si dhe në këto aktivitete janë të përfshirë studentë dhe nxënës të moshave më të reja brenda dhe jashtë AAB-së.

“ Iniciativa të tilla janë pjesë përbërëse e punës së përditshme në Kolegjin AAB, dhe jo vetëm nga Fakulteti Ekonomik, por nga të gjithë studentët e të gjitha fakulteteve që përpiqen të gjejnë forma inovative brenda specifikave të programeve studimore”, u shpreh zv.rektori Shemsedin Vehapi.

Ndërsa, Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, foli për rëndësinë e përdorimit të teknologjisë duke theksuar se fuqia jonë konkuruese është rinia e vendit tonë, pasi që dihet se bota është duke lëvizur shumë shpejt drejt ekonomisë digjitale.

“Pra ne e kemi një rini që besoj fuqishëm që ka me qenë fuqia e vetme kompatibile me ekonominë botërore në ekonominë digjitale , kjo është e gjithë fuqia jonë konkuruese e cila besoj që do të jetë identiteti ekonomik i Republikës të Kosovës”, u shpreh ministri Beqaj.

Po ashtu, në këtë debat i pranishëm ishte edhe Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, ku vlerësoi lartë këtë aktivitet, i cili theksoi se inovacioni është i një rëndësie të madhe dhe duhet t’i kushtohet rëndësi gjithmonë, pasi që kudo shohim inovacion dhe kjo është mënyra se si avancon dhe prosperon shoqëria kosovare.

Të pranishëm në këtë panel ishin edhe dekani i Fakultetit Ekonomik në Kolegjin AAB, Shaip Bytyqi dhe kryetarja e klubit të ekonomistëve të rinj, Hana Kastrati, ku kjo e fundit prezantoi edhe aktivitetet e bëra në kuadër të javës së kreativitetit dhe inovacionit.

Vlen të theksohet se në kuadër të shënimit të Javës Botërore të Kreativitetit dhe Inovacionit, Fakulteti Ekonomik i Kolegjit AAB gjatë kësaj jave ka organizuar aktivitete një javore në tre kampuset e Kolegjit AAB./GazetaKNN/