Arsim & Kulturë

Në Kolegjin AAB u mbajt tryezë debati për rolin e gruas në shoqëri

Në Kolegjin AAB u mbajt tryezë debati me temën “Leksion me gratë dhe përfaqësuesit fetarë për promovimin e tolerancës fetare dhe luftimin e ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm që çon në terrorizëm”, ku u fol për rolin e gruas, fuqizimin e saj si dhe rëndësinë që ka gruaja në shoqëri.

Me këtë rast, zv.rektori i Kolegjit AAB, Shemsedin Vehapi, në fjalën e tij tha se këto debate janë të një rëndësie të veçantë për studentët, sepse sipas tij, Kolegji AAB në vazhdimësi promovon vlerat njerëzore për humanizëm dhe tolerancë.

“Kosova si shtet i ka karakteristikat e veta, ku bashkëjetojnë një numër i madh i komuniteteve të ndryshme. Historikisht, Kosova paraqet shembullin më të mirë të bashkëjetesës së komuniteteve fetare”, u shpreh zv.rektori Vehapi.

Ndërsa, përfaqësuesja e komunitetit Islam, Vaxhide Bunjaku, në fjalën e saj foli për kontributin e gruas në të kaluarën si dhe rëndësinë e saj në ditët e sotme.

“Duhet ta kemi parasyshë që femra është ajo e cila është neni dhe baza e shoqërisë. Nëse një femër është e edukuar mirë, do të jetë e edukuar mirë e gjithë shoqëria, sepse femra është gjysma e shoqërisë”, u shpreh Bunjaku.

Ajo në këtë tryezë foli edhe për themelimin e departamentit të gruas, e cila shërben për të drejtat e grave dhe rolin e tyre në shoqëri.

“Themelimi i departamentit të gruas, i cili njihet si departamenti i parë enkas për gratë në kuadër të një komuniteti fetar është themeluar në vitin 2005 dhe përkushtohet për të avancuar jetën e myslimanëve në Kosovë, pa dallim përkatësie etnike, organizimin e aktiviteteve dhe promovuese për të drejtat e grave si dhe ruajtjen e identitetit fetar e kulturor të grave”, tregoi Bunjaku.

Ndërsa, Belkize Cakolli nga komuniteti protestant, tha se gruaja duhet të gëzojë të drejtat maksimale në jetën e saj.

“Në kohët moderne, gruaja në komunitetin tonë ka një rol të vazhdueshëm. Ajo sot është gjendur në drejtim dhe në udhëheqje të programeve dhe projekteve të shumta që kanë forcuar familjen dhe jetën e qytetarëve të shumtë. Në vendin tonë janë më shumë se 38 kisha lokale të protestantëve dhe gruaja drejton jetën e kishës krahas burrit të saj, në të gjitha aspektet e jetës dhe të shërbesës”, u shpreh Belkize Cakolli.

Këtë tryezë e përshëndeti edhe Nevenka Rikalo, e cila është përfaqësuese e OJQ-së “Ruka Ruci”, ku foli për vlerat e gruas ne shoqërinë tonë, duke krahasur mënyrën e jetesës në kohët e mëhershme me atë të ditëve të sotme, duke potencuar se mënyra më e mirë për ngritjen e vetëdijes tek popullata është përfshirja e grave në pozitat menaxheriale.

Në kuadër të kësaj tryeze u zhvillua edhe një debat, në mes studentëve dhe panelisteve pjesëmarrëse./GazetaKNN/