Arsim & Kulturë

Në Kolegjin AAB u promovua libri “Ekonomiksi i parasë, bankingut dhe tregjeve financiare”

Sot në Kolegjin AAB u bë promovimi i librit “Ekonomiksi i parasë, bankingut dhe tregjeve financiare” nga autori Frederic Mishkin. Kjo vepër sjell një perspektivë të re dhe ka një përmbajtje elementare dhe gjithëpërfshirëse.

Me këtë rast, Shaip Bytyqi, dekani i Fakultetit Ekonomik, përgëzoi përkthyesit për këtë vepër dhe tha që ky libër pasuron aktivitetet dhe i shtohet si fond apo pasuri biblotekës së Kolegjit tonë.

“Vlera e shtuar e këtij libri është modeli që lidhet me Ekonomiksin e parasë, bankingut dhe tregjeve financiare, të autorit Frederic Mishkin, i përkthyer në gjuhën shqipe, libër në të cilën mësohet në të gjitha vendet e botës”, u shpreh dekani Bytyqi.

Ndërsa Arben Mustafa, përkthyesi i librit, falenderoi Kolegjin AAB që ka mundësuar promovimin e librit në ambientet e Kolegjit.Gjithashtu, Mustafa tregoi që asnjëri nga përkthyesit nuk i takojnë fushës së përkthimit dhe që ka qenë mjaft sfiduese dhe e vështirë.

“Procesi i përkthimit, nuk ka qenë një proces i lehtë, ka qenë mjaft sfidues, pasi që ne nga profesioni nuk jemi asnjëri përkthyes, të gjithë autorët që kemi marrë pjesë në përkthim kemi përfunduar studimet jashtë shtetit, që do të thotë që kemi pasur një nivel më të avancuar, konsideroj të anglishtes, mirëpo prapë përkthimi ka qenë mjaft sfidues”, u shpreh përkthyesi i librit, Arben Mustafa.

Tutje, drejtoresha e shtëpisë botuese, Merita Mehmeti Gagica, tregoi për kontributin e kësaj shtëpie botuese, dhe përmendi se çka shohin si fokus më së shumti.

“Në Kosovë vepron që nga viti 2014 duke përfaqësuar shtëpitë botuese më të famshme në Evropë dhe në Amerikë, përveq platformave ne kemi në fokus gjithashtu, edhe përkthimin, bashkëpunimin me profesorët tanë në përkthimin e projekteve të mëdha, të shkruajtura në gjuhë të huaja, të cilat mund t’i keni edhe në gjuhën shqipe”, u shpreh drejtoresha Mehmeti-Gagica.

Vlen të përmendet që libri i promovuar është përkthyer nga Valentin Toci, Gezim Tosuni, Arben Mustafa, Driton Qehaja dhe Sokol Havolli, libër i cili ndahet në gjashtë kapituj dhe ka 667 faqe. Libri është mjaft gjithëpërfshirës dhe mund të përdoret në lëndë të ndryshme.

Në fund të promovimit, u zhvillua një debat në mes studentëve dhe panalisteve./GazetaKNN/