Arsim & Kulturë

Në Kolegjin AAB u promovua romani “Rrota e ujit” i autores Resmije Kryeziu

Sot në bibliotekën e Kolegjit AAB është bërë promovimi i romanit “Rrota e ujit”, nga autorja Resmije Kryeziu, roman ky që trajton rrëfimin e viteve të pasluftës së dytë botërore duke u trajtuar e gjithë ngjarja në roman në qytetin e Gjakovës.

Gjatë promovimit, autorja e romanit “Rrota e ujit”, Resmije Kryeziu, u shpreh e lumtur dhe e nderuar që u realizua promovimi i romanit të saj dhe falënderoi të gjithë të pranishmit.

Hysen Matoshi, drejtori i Institutit Albanologjik, u shpreh për lidhjen e autores me romanin, duke thënë se është një raport i pashkëputshëm emocional që autorja Resmije Kryeziu ka krijuar me qytetin e fëmijërisë së saj, Gjakovën.

“Romani “Rrota e ujit” përbën një kërkim në të kaluarën e autores, në memorien e fëmijërisë së saj, në jetën dhe në kohën e një qyteti përplot rrëke lotësh. Ky roman në këndvështrimin e sotëm është dëshmi e përsiatjes filozofike në botën që po jetojmë dhe është një testament dhembshurie përplot dashuri për brezat që do të jetojnë, për brezat që do të duan të njohin të jetuarën dhe të përjetuarën e një kohe tjetër”, u shpreh Matoshi.

Tutje, shkrimtari, Gëzim Aliu, vlerësoi qasjen e autores ndaj romanit duke thënë se lidhja e ngjarjes dhe ndërtimi i tyre në roman tregon për një talent të fshehur me vite, si dhe flet për përbërësit që autorja ka përdorur për të krijuar botën e romanit.

“Janë një varg elementesh që e mbajnë gjallë leximin e kësaj vepre narrative, gërshetimin e narratorit dhe autorit të nënkuptuar, storjet e numërta që lidhen motivueshëm në tërësi, personazhet e shumtë, idetë, hapësira narrative ose ambienti dhe gjuha që lidhet me ambientin, përmes këtyre përbërësve autorja ka krijuar botën e romanit që është njëkohësisht edhe bota e Gjakovës letrare”, u shpreh Gëzim Aliu.

Në fund të këtij promovimi, fjalën e mori Naile Demiri, profesoreshë në Kolegjin AAB, ku theksoi se romani “Rrota e ujit”, është ngjarje që prek të gjithë shqiptarët dhe gjysmën e njerëzimit, duke shtuar se romani është një lidhje ngjarjesh nëpër të cilën ka kaluar vetë autorja dhe si e tillë më së miri e ka pasqyruar jetën e njerëzve./GazetaKNN/