Rajon & Botë

Në kullën ‘Trump’ vendoset për administratën e re

Një prej zonave me të pasura të Nju Jorkut, që njihet për shkëlqimin dhe luksin, është kthyer në arenën kryesore politike të vendit. Kulla “Trump” (Trump Tower) e njohur ndryshe edhe si “Shtëpia e Bardhë në Veri”, është zyra kryesore dhe shtëpia e presidentit të zgjedhur. Ajo është shndërruar në “mekën” e turistëve, por në një makth të vërtetë për punonjësit e sigurisë dhe sfidë më vete për gazetarët. Në vazhdim, korrespondenti i “Zërit të Amerikës” Ramon Taylor, na njeh më nga afër me ndërtesën ku po gatuhet fati i administratës së ardhshme

Zemra e lagjes së Manhatanit, aty ku ndodhet “Trump Tower”, nuk është vetëm një qendër blerjesh, apo gjuetie për të pasurit dhe të famshmit. Ajo është shtëpia e presidentit të zgjedhur Donald Trump.

Në hollin kryesor të ndërtesës, përballë katër ashensorëve të praruar, pas një kordoni të kadiftë, që nuk mund ta kalojnë, qëndrojnë gazetarët që ndjekin zhvillimet e tranzicionit për Shtëpinë e Bardhë. Ata kanë përgjegjësinë të raportojnë hyrjet dhe daljet e ndihmësve kryesorë dhe anëtarëve të mundëshëm të kabinetit Trump.

Një prej gazetarëve i krahason këto ditë të qëndrimit aty, pak a shumë me peshkimin.

“Rrimë për një kohë të gjatë në një pozicion ku nuk shohim njeri por nuk duhet të humbasim fokusin. Asnjëherë nuk i dihet kush kalon dhe duhet të jesh gati t’i identifikosh, të hedhësh pyetje, pa asnjë paralajmërim”, thotë Hunter Walker, korrespondent i faqes në internet “Yahoo News”.

Veshja e brendëshme e mermertë me dekoracionet festive, dyqanet e panumerta luksoze, mjediset e shumta për të ngrenë, janë një vend i nxehtë edhe për turistët, të cilët gjithëaq shpresojnë të jenë dëshmitarë të asaj që ndodh aty.

“Ushqimi është shumë i mirë, shërbimi i mrekullueshëm, ndërtesa e mahnitshme. Na pëlqen atmosfera” thotë turistja nga Teksasi, Susan Neighbors, raporton voa.

Ndërtesa 202 metra e lartë është shtëpia e miliarderit Donald Trump, sot presidenti i zgjedhur i Amerikës. Po aty jetojnë personalitete të tjera, si ylli i kinemasë Bruce Willis dhe ai i futbollit Cristiano Ronaldo, përfshirë bizneset e sërës së lartë si Gucci.

Por gjatë këtij sezoni blerjesh, bizneset që rrethojnë Trump Tower, po vuajnë probleme financiare, për shkak të logjistikës që rrethon presidentin e zgjedhur.

“Problemi ynë është se është kufizuar rreptësisht kalimi i konsumatorëve në këtë zonë. Bazuar në bisedat që kam bërë me biznesmenë të tjerë flasim për dhjetra milionë dollarë humbje, vetëm për sezonin e Krishtlindjeve”, thotë biznesmeni Tom Cusick.

Kryebashkiaku i qytetit thotë se përparësitë e tij janë të fokusuara gjetkë.

“Jeta ime nuk rrotullohet rreth Guccit dhe Tiffany-t, por mund të them që trafiku është shumë problematik” thotë kryebashkiaku i Nju Jorkut Bill De Blasio.