Aktuale

Në Prishtinë hapet këndi i tregut të luleve të freskëta

Komuna e Prishtinës ka hapur sot në sheshin “ Skënderbeu” Tregun e Luleve me gjashtë kioskë, në të cilin treg do të shesin lule njëmbëdhjetë prodhues të luleve të freskëta me rotacion një mujor gjatë tërë vitit.

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, me këtë rast u shpreh i kënaqur që sot hapen këndin e tregut të luleve në komunën e Prishtinës, i cili tha se është tregu i parë i këtij lloj dhe ideja ka qenë t’ju ofrohet mundësia prodhuesve të luleve nga Kosova që të shesin në një prej shesheve më të frekuentuara të Prishtinës.

“Këtu janë gjashtë kioskë, ne kemi hapur një konkurs ku kemi ftuar të gjitha kompanitë e luleve, të cilët duan të shesin të aplikojnë, kanë aplikuar 12 biznese, ndërsa, janë pranuar 11 aplikacione dhe do ta bëjmë me rotacion në mënyrë që secilit t’i japim mundësi që të shes. Andaj, një muaj do të shesin këto kompani që po I shihni sot, ndërsa, pas një muaj do të jenë pesë të tjera të cilat do të zënë vendin e tyre dhe gjatë gjithë vitit do të mundohemi që të kemi lule të freskëta për qytetarët tanë”, theksoi kryetari Ahmeti.

Ai tha se lokacioni i tregut të luleve, është një praktikë e qyteteve evropiane dhe mendon se sheshi ‘Skënderbeu’ është mjaft i përshtatshëm. Sipas tij, tregu do të jetë i hapur gjatë tërë vitit, edhe gjatë vikendeve.

Ndërsa, kultivuesit e luleve që po marrin pjesë në treg konsideruan se ky është një hap i qëlluar nga komuna për shitjen e luleve. Përfaqësuesja e biznesit familjar “Unique Flower”, Valmira Berisha tha se në këtë treg po prezantojnë rreth 40 lloje të luleve, ndërsa ndër lulet më të kërkuara blerësit, sipas saj, është Orchidea.

“Sot janë mbi 35 lloje… I mirëpresim të gjithë qytetarët të cilët dëshirojnë t’i zbukurojnë shtëpitë e tyre me lule fantastike nga “Unique Flower” që është dekoruesi dhe shërben për t’i zbuluar shtëpitë e tyre… Po, shpresoj këtu që të ketë një zhvillim më të madh të luleve dhe të popullarizohen nëpër vendet e tyre dhe Prishtinës të mos i mungoj zbukurimi nga kompanitë tona… Deri tani ka pasur interesim shumë për lulet që I shesim dhe kanë dhënë komplimente të bukura. Lulja Orchidea deri tani është kërkuar më së shumti”, theksoi Berisha.

Sipas të parit të Prishtinës, ky projekt është realizuar në bashkëpunim me “Demos”dhe Qeverinë Zvicerane dhe sipas Ahmetit një prej fushave kryesore është përmirësimi i hapësirave publike ku bashkë me ta kanë realizuar dy projekte të kësaj natyre, për tregun e luleve dhe për kioskat e librave. Ai bëri me dije se pas përfundimit të procesit të konkurrimit do të hapet shumë shpejt edhe tregu i librave. /KP/