Ekonomi

Në tregun e punës, më se 60 për qind e punëtorëve, punojnë pa kontrata

Përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thonë se në tregun e punës, më se 60 për qind e punëtorëve, punojnë pa kontrata pune. Këtë e thonë edhe vetë punëtorët, që punojnë në biznese kryesisht të vogla. E Inspektorati i Punës vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij vitit, ka hasur mbi 900 raste të punëtorëve pa kontrata pune.

Tregu i punës në Kosovë, është i mbushur me punëtorë që në raste shumë të shpeshta punojnë pa kontrata të punës, kryesisht në sektorin privat. Njomza, punon në një dyqan rrobash. Ajo thotë se asnjëher nuk i është ofruar kontrata e punës, ndërkohë që punën e ka të domosdoshme.

“Punojë qe tri vjet. Jo, s’kam pas kontratë asnjëherë, dhe pagën e marr në dorë”, ka thënë Njomza

Por ndryshe, thotë Adelina, e cila posedon kontratë pune dhe ndihet më e sigurt.

“Që nga fillimi i punës, jam pajisur me kontratë. I kam të paguara të gjitha kontributet, dhe kontrata më bënë më të sigurt, për të drejtat e mia si punëtore”, ka thënë Adelina.

Ndërkohë, kryetari i sindikatës së punëtorëve të sektorit privat, Jusuf Azemi, thotë për Radio Kosovën, se situata e punëtorëve në sektorin privat vetëm sa është përkeqësuar. Sipas tij, numri i punëtorëve që punojnë pa kontrata pune, është mbi 60 për qind.

“ Punëtorë pa kontrata pune i kemi mbi 60 për qind të sektorit privat. Duke u nisur nga mos-kontraktimi i palës mes punëtorit- dhe punëdhënësit, po shkaktohet një telashe jashtëzakonisht e madhe” Vet kjo gjendje, çfarë është për momentin në Kosovë, punëtorët i ka shtyre që me çdo kusht ta lëshojnë vendin dhe të ikin jashtë”, ka thënë Azemi.

Bazuar në ligj, kompanitë që mbajnë punëtorë pa kontrata pune, mund të gjobiten deri në 10 mijë euro. Ushturesi i detyrës së kryeinspektoratit të Punës Valon Leci, tha për radion tonë se nga insepktimet e vazhdueshme, vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, kanë gjetur në tregun e punës mbi 900 punëtor pa kontrata, të cilat siq tha ai, janë rregulluar.

“Në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, nga numër i përgjithshëm i punëtorëve të inspektuar që është 22 mijë e 700, kemi të gjetur 971 punëtorë pa kontrata pune, nëse e bëjmë një përqindje, kjo përqindje nuk është edhe aq e lartë siç paraqitet nga organet e ndryshme për këtë çështje”, ka thënë Leci.

Por ndryshe, thotë kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi. Sipas tij, Inspektorati i Punës, nuk është duke e kryer punën me efikasitet. Madje sipas tij, në shumë raste, inspektorët po korruptohen që t’i mbyllin sytë para gjendjes faktike. Dënimet që shqiptohen nga ky inspektorat, janë vetëm në letër, thotë Azemi.

“Kemi jashtëzakonisht shumë ankesa, që ne vet i kemi bërë që të trajtohen më mirë këta punëtorë. Por megjithatë, jemi shumë të vetëdijshëm se kjo po bëhet edhe bekimin e inspektorëve, sepse inspektorët nuk po e kryejnë punën, apo më mirë të themi, që shpesh herë ata marrin para nga pronarët e kompanive, dhe për atë shumë të parave që marrin inspektorët, punëtorët po mbesin pa kontrata, për sa e sa vite”, ka shtuar Azemi.

Ndërsa këtë akuzë, nuk ka dashur ta komentoj ushturesi i detyrës së kryeinspektoratit të Punës Valon Leci.

“Sa i përket asaj se inspktorati po mbyll sytë para situatës faktike në treg dhe shkelësve, unë nuk dua të komentojë. Ato janë deklarata të një institucioni i cili po ashtu ka për mandate t’i mbrojë të drejtat e punëtorëve, mirëpo prej një prizmi tjetër, dhe jo prej një institucioni public cfarë bënë Inspektorati i Punës, janë cështje të tyre, dhe unë ju grantojë, që Inspektorati i Punës maksimalisht bazuar në kapacitetet që i ka, njerëzore dhe të tjera logjistike infrastrukturore, është duke e kryer mandatin e tij, për çka është e mandatur”, ka shtuar Leci.

Se sektori privat luan me kontratat e punëtorëve, e thekson për Radio-Kosovën, edhe kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Bashkuara të Kosovës, Avni Ajdini.

“Punëtorët tanë edhe pse ju shkruan kontrata 8 orë, ata punojnë 12 orë dhe paguhen për 8 orë. Këtu është shkelja të paga minimale sepse është nën pagë minimale, e ku ngelën ato 4 orë shtesë të punës dhe këtu kemi mjaftë telashe, kemi nevojë për vetëdije të punëdhënësve, ka edhe të atillë që zbatojnë rregullat dhe ligjin, por shumë pak”, ka thënë Ajdini.

Kontrata e punës është veprim juridik i dyanshëm, i cili rregullon të drejtat të punëdhënësit dhe të punëmarrësit. Në bazë të kontratës, punëdhënësi është i detyruar që të punësuarin ta paraqesë në Administratën Tatimore të Kosovës dhe institucionet tjera, të cilat menaxhojnë dhe administrojnë skemat e obligueshme pensionale dhe skemat tjera. Po ashtu, punëdhënësi është i obliguar që të kryejë pagesën e kontributeve dhe detyrimeve tjera ligjore.