Aktuale

Nehat Thaqi mbetet në burgun serb, edhe Gjykata Speciale ia refuzon lirimin

Edhe Gjykata Speciale në Beograd ka refuzuar kërkesën për anulimin e arrestit të drejtorit Rajonal të Policisë së Mitrovicës, Nehat Thaqi. Gjykata serbe ka vendosur që Thaqi të qëndrojë në burg, edhe pse Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë, në të cilën i kërkohej Serbisë që ta lironte menjëherë Thaqin.

“Me vendimin e gjyqtarit për procedurë paraprake më 13 tetor është refuzuar propozimi i palës mbrojtëse të të pandehurit për përfundimin e arrestimit”, ka thënë zëdhënësja e kësaj Gjykate, Tanja Koljensiç për mediet serbe.

Një gjykatë në qytetin e Nishit në Serbinë jugore i caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh drejtorit Rajonal të Policisë së Kosovës, për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaqi.
Gjykata në Nish tha se masa e paraburgimit u vendos për shkak të “rrezikut të ikjes nga drejtësia”.

Thaqi është arrestuar në datën 28 shtator, me vendim të Gjykatës së Lartë në Nish, që sipas tyre, kishte një fletarrest të lëshuar në vitin 2010.

Thaqi më pas u transferua në Beograd në datën 10 tetor, ku u theksua se ndaj tij po bëhet një hetim për si i dyshuar për vepër penale: terrorizëm.