Aktuale

Nënshkruhet marrëveshja mes Kosovës e Gjermanisë për 60 milionë euro grante

Gjermania konfirmon bashkëpunimin 2-vjeçar për Kosovën në vlerë prej 60 milionë euro grante.
Qeveria e Kosovës e përfaqësuar nga ministri i Financave Bedri Hamza dhe Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë e përfaqësuar nga udhëheqës i delegacionit Gjerman nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim Dirk Schattschneider, sot zhvilluan diskutime për bashkëpunimin financiar dhe teknik dy-vjeçar në mes të dy Qeverive.

Gjatë takimit u nënshkrua protokolli përmes të cilit Qeveria Gjermane zotoi 60.05 milionë euro grant mbështetje për Kosovën.

Mbështetja do të ofrohet për projekte në tre sektor të ndryshëm siç janë: zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, demokracia, shoqëria civile e administrata publike dhe energjia.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, ministri Hamza theksoi edhe një herë se Gjermania është njëri ndër partnerët kryesorë drejt arritjes së aspiratave të Kosovës për zhvillim ekonomik dhe integrim në Bashkim Evropian, duke shtuar tutje se zotimet për periudhën dy vjeçare do të ndikojnë direkt në përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve të Kosovës, për çka ai i falënderoi shumë.

“Kualiteti i jetës së qytetarëve nuk do të ishte i tillë pa vlerën që i ka shtuar bashkëpunimi me Qeverinë Gjermane”, tha ai, shkruan lajmi.net.

Në anën tjetër, Schattschneider tha se Qeveria Gjermane është krenare që e mbështetë Qeverinë e Kosovës si partner i afërt në rrugën e saj për Bashkim Evropian dhe është falënderuese për bashkëpunimin shumë të mirë që kemi me Ministrinë e Financave dhe institucionet tjera partnere.

Më tutje, ai shtoi se “gjatë diskutimeve të mbajtura me delegacionin e Kosovës kemi vlerësuar progresin e bërë nga Qeveria e Kosovës në fusha të rëndësishme për integrimin evropian dhe kemi theksuar nevojën për progres të mëtutjeshëm, veçanërisht në aspekt të reformave në sektorin e sundimit të ligjit si dhe tranzicionin në energji me fokus në energjinë e ripërtërishme dhe efiçiencën e energjisë”.

Në fund, Schattschneider theksoi edhe një herë përkushtimin e Qeverisë Gjermane që Parku Inovativ Gjermano-Kosovar në Prizren të bëhet qendër e suksesshme e inovacionit dhe punësimit për Kosovën dhe tërë rajonin. /Lajmi.net/