Arsim & Kulturë

Nesër në Kolegjin AAB nis edicioni i dytë i festivalit të studentëve PAAF2019

I konceptuar për të promovuar punën e studentëve të arteve, festivali i vetëm i studentëve në Kosovë, Prishtina Arts&Architecture Festival, nis të mërkurën edicionin e tij të dytë.

Ky edicion që do të zgjasë nga 22-24 maj 2019, në hapësirat moderne të Kolegjit AAB do të sjellë risi në përmbajtjen e tij, ndërsa do të prezantohet krijimtaria njëvjeçare e studentëve të të gjitha fushave: pikturë, dizajn grafik, dizajn mode, arkitekturë, enterier, produksion filmik e muzikë.

Në ditën e parë të tij PAAF2019 do të sjellë një program artistik të studentëve të Fakultetit të Muzikologjisë, të cilët do të performojnë vepra të ndryshme muzikore individuale e grupore, në këndim e instrumente, ndërsa do të ketë edhe një prezantim të Korit të studentëve të Kolegjit AAB me një varg numrash muzikorë.

Po kështu, dita e parë e PAAF 2019, do të jetë edhe dita hapëse e Ekspozitës Kolektive të Studentëve, ku do të prezantohen dhjetëra punime të studentëve.

Në ditën e dytë të festivalit, vëmendje e veçantë i është kushtuar Dizajnit të Modës. Nën titullin e punës “Tulipan”, studentët e Dizajnit të Modës, do të sjellin kreacionet e tyre në dizajnin e veshjeve, të cilat janë punuar nën përkujdesjen e mësimdhënësve Flutura Dedinja e Krenare Rugova.

Dita e dytë e festivalit, do të fokusohet gjithashtu edhe në fushën e arkitekturës, në kuadër të së cilës do të mbahet Konferenca Shkencore e Arteve dhe Arkitekturës “Love and Hate”, e ku me punimet e veta do të parqiten studiues nga Kosova, Shqipëria, Maqedona e Veriut, Italia e Sllovenia.

Gjatë tre ditëve të festivalit, një pjesë të rëndësisë së veçantë do ta ketë Seksioni i Filmit, që organizohet nga Fakulteti i Komunikimit Masiv, drejtimi Produksion, e ku në këtë vit me projektet e tyre filmike paraqiten shkolla të filmit dhe pjesëmarrës nga ShBA, Brazili, Turqia, Italia, Sllovenia, Mali i Zi dhe Kosova.

Një pjesë të rëndësishme të Festivalit, sivjet e zënë edhe punëtoritë (workshop), ku studentët do të ndjekin trajnime e punëtori, si: Punëtoria e Vitrazhit – një mjeshtëri artistike në qelq, pastaj punëtori për arkitekturë: “Studim Urb-Arkitektonik i pjesshëm i kampusit të AAB”, “Fisnikërimi/revitalizimi i hapësirave publike në qytetin e Prishtinës”,
“Studim Urban, Arkitektonik, Vizual-Estetik alternativ”, “Dizajnimi i një shtëpie / ville” dhe
“Fisnikërimi/revitalizimi i hapësirave publike në qytetin e Prishtinës”.

Në seksionin e filmit, studentët do të ndjekin punëtorinë “Si të arrihen kooproduksionet në film”, i cili do të udhëhiqet nga producentja kroate, Tea Korolia.

Veçanti tjetër e edicionit të dytë të PAAF 2019 do të jetë edhe Kolonia Artistike, ku studentë të arteve vizuele nga Kolegji AAB, Universiteti i Prishtinës, por edhe nga universitete nga Maqedonia e Veriut e Shqipëria, për dy ditë radhë do të punojnë në ambientetet e Kolegjit AAB për të shkëmbyer përvojat e tyre dhe për të krijuar vepra që do të mbeten gjatë në Galeritë e Kolegjit AAB.

PAAF 2019 do të jetë më ndryshe, andaj ftohen të gjithë të interesuarit të vijnë dhe të na vizitojnë. Për detaje mund të na përcillni edhe në faqen e festivalit: https://paaf.aab-edu.net/

the authorBurbuqe Metolli