Rajon & Botë

Netanyahu mbështet “shtetin kurd”

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka theksuar se i mbështet përpjekjet legjitime të popullit kurd për të formuar shtetin e tyre, para referendumit të planifikuar për 25 shtator të qeverisë rajonale kurde të Irakut, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Izraeli, i cili distancohet nga çdo formë e terrorizmit, mbështet përpjekjet legjitime të popullit kurd për formimin e shtetit të tyre”, thuhet në një deklaratë nga zyra e Netanyahut.

“Izraeli distancohet nga PKK-ja dhe e konsideron atë si organizatë terroriste”, thuhet më tej në deklaratë.

Sipas një lajmi në Jerusalem Post, deklarata e Netanyahut vjen një javë pasi Shefi i Shtatmadhorisë së Izraelit Yair Golan tha se “Nuk e konsideron si organizatë terroriste PKK-në”.

Gjatë pjesëmarrjes në Institutin për Politika të Lindjes së Afërt në Washington javën e kaluar, Golan deklaroi se personalisht mendon se “PKK nuk është organizatë terroriste”.

Golan theksoi se Izraeli që në fillim të viteve të 60-a ka bashkëpunim të mirë me popullin kurd. “Zhvillimi më pozitiv lidhur me fatin e Lindjes së Mesme do të jetë krijimi i një entiteti kurd – entiteti të pavarur”, deklaroi Golan.

Edhe muajin e kaluar, kryeministri izraelit Netanyahu kishte deklaruar se mbështet një shtet të pavarur kurd në Irak, duke i cilësuar kurdët si “njerëz properëndimorë dhe të guximshëm të cilët ndajnë vlerat tona”.

Ndryshe, kryetari i qeverisë rajonale kurde në veri të Irakut, Mesut Barzani, shpalli mbajtjen e referendumit për pavarësi për më 25 shtator të vitit 2017, pas një mbledhjeje të zhvilluar me partitë politike më 7 qershor.

Ndërkaq, pas shpalljes së referendumit, kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi, deklaroi se referendumi “shkel kushtetutën dhe nuk do ta njohin rezultatin e tij”.

Edhe Kuvendi i Irakut ka hedhur poshtë referendumin kurd përmes një votimi.

Qeveria rajonale po ashtu nuk ka hasur as në mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për “referendumin për pavarësi”.

Turqia, Irani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë dhënë paralajmërime duke vënë theksin mbi integritetin territorial të Irakut, ndërkohë që edhe Rusia ka sinjalizuar se qeveria kurde duhet t’i mendojë mirë pasojat e referendumit.