Aktuale

Nevojiten më së paku katër javë për t’u normalizuar gjendja në rajonet e përmbytura

Eksperti holandez, Peter Glerum vlerëson se ende ka nevojë për pastrimin e baltës dhe mbeturinave në rajonet e përmbytura, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Ai thotë se për të përfunduar të gjithë punët, do të duhen edhe tre deri katër javë, ndërkaq në këtë fazë, është e pamundshme që punët të kryhen me mekanizëm, por duhet krah pune. Ekpserti holandez alarmon se rajonet e përmbytura nuk janë të sigurta ndaj ndonjë vërshimi të ri.

Udhëheqësi i Zyrës për bashkëpunim të delegacionit të BE-së në Maqedoni, Martin Klauke theksoi se janë të patjetërsueshme ndryshimet strukturale për ballafaqimin me përmbytjet dhe se vlerësimi i ri do të bëhet në bashkërendim me Bankën Botërore dhe OKB-në.

Klauke tha se duhet të zbatohet një sistem i paralajmërimit të hershëm si edhe të zbatohen udhëzimet e BE-së për ballafaqim me vërshime.