Ekonomi

Nga shtatori janë ngritur çmimet e perimeve, ujit e rrymës

Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit mbetet i pandryshuar 0% në muajin tetor 2019, krahasuar me muajin shtator 2019, sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Përkundër mos ndryshimit në muajin tetor 2018 të indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit, krahasuar me muajin shtator 2019, vërehen disa ndryshime të çmimeve të artikujve dhe shërbimeve te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it.

Ngritje e çmimeve vërehet te këto nëngrupe: perime (0.6%); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (0.7%); energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (0.8%)-(ngritje e çmimit të druve për ngrohje); blerje e automjeteve (2.3%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.3 për qind në IHÇK.

Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve te nëngrupet e COICOP-it: qumësht, djathë dhe vezë (-1.1%); pemë (-7.4%); shërbimet për transport (-2.4%) – (rënie e çmimeve të biletave të transportit ajror), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.3 për qind) në IHÇK.

Shkalla vjetore e inflacionit e matur në muajin tetor 2019 me muajin tetor 2018 ishte 2.2%. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (11.8%); mish (2.0%); qumësht, djathë dhe vezë (1.6%); vajra dhe yndyra (3.1%), etj.