Aktuale

Nis dialogu në nivel teknik mes Prishtinës e Beogradit

Një raund i ri i dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës në nivel teknik ka filluar sot në Bruksel.

Burime të afërta me delegacionin e Beogradit kanë konfirmuar për agjencinë serbe të lajmeve” Tanjug” se tema e ditës së parë të bisedimeve në Bruksel  që do të zgjasin tri ditë do të jetë zbatimi i marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, përkatësisht çështjen e targave të automjeteve nga Kosova.

Ndërkaq, në ditën e dytë të bisedimeve që zhvillohen më 8 shtator në rend dite do të jenë çështjet kadastrale si dhe krijimi Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, marrëveshje kjo e cila vlerësohet nga pala serbe si thelbësore në bisedimet Prishtinë-Beograd, transmeton Klan Kosova.

Në ditën e fundit të bisedimeve, të premten, delegacionet e të dyja vendeve  do të diskutojnë rreth caktimit të kufijve të pjesës veriore dhe jugore të Mitrovicës.

Gjatë tre ditëve të bisedimeve teknike në Bruksel, delegacioni i Prishtinës kryesohet nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ndërsa ai i Beogradit nga Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.