Aktuale

Nis restaurimi i ndërtesës së postës së parë në Prizren

Në kuadër të zbatimit të aktiviteteve konservuese – restauruese për këtë vit, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka filluar me ndërmarrjen e masave të riparimit emergjente në ndërtesat-monumentet arkitekturale të rrezikuara, në zonën historike të Prizrenit dhe objektet tjera që gjendën në Listën e Trashëgimisë Kulturore në Mbrojtje të Përkohshme.

Ndërtesa e Postës së parë të Prizrenit gjendet në pjesën jugore të Prizrenit, në lagjen e ashtuquajtur “Saraj”. Ajo ka vlerë historike si posta e parë e qytetit, e cila është themeluar gjatë shekullit 19.

Bazuar në dokumentet e vjetra të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, gjatë kohës posta ka shërbyer për dërgimin dhe pranimin e peticioneve, lajmeve dhe konfirmimeve të rëndësishme që ndërlidhen me ngjarjen e rëndësishme historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Duke u bazuar në dokumentet arkivore dhe në hartat e vjetra, rrjeti i parë telegrafik Prizren – Shkup është iniciuar nga Valiu i Shkupit në vitin 1864, dhe është përfunduar ndërtimi i postës së bashku me të gjitha aparaturat deri në vitin 1870.

Ndryshe, realizimi i masave për ndërhyrje dhe riparime emergjente në ndërtesa – monumente arkitekturale të rrezikuara, financohet nga buxheti i shtetit, ndërsa zbatimi i punimeve bëhet nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, sipas projekteve të miratuara nga Komisioni për Vlerësimin e Projekteve restauruese – konservuese në kuadër të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.