Kuriozitete

Një çift gjendet i mumifikuar nën akullnajë pas 75 vjetësh

Një çift i zhdukur para 75 vitesh në masivin e Diablerets, në jug të Zvicrës, u gjend i mumifikuar nën dëborën e një akullnaje në lartësi 2. 615 metra, njoftuan mediat zvicerane.

Drejtori i zonës së skive në “Akullnajën 3000”, Bernard Tschannen, tha për media se trupat e konservuar në mënyrë perfekte ishin pranë njëri-tjetrit, me çantat e tyre në shpinë, një shishe uji, një libër dhe një orë.

“Bëhet fjalë për një burrë dhe një grua që mbanin veshje të Luftës së Dytë Botërore. Akulli i ka ruajtur në mënyrë perfekte dhe mjetet e tyre ishin të paprekura”, tha ai.

Drejtori i kompleksit të skive mendon se çifti me shumë mundësi mund të ketë rënë në ndonjë gropë dhe trupat janë shfaqur më vonë për shkak të ngrohjes klimatike.

Policia do të zhvillojnë një kërkim nëpërmjet ADN-së, por sipas “Le Matin”, që citon njërin prej shtatë fëmijëve të çiftit, bëhet fjalë për një këpucar 40-vjeç dhe një mësuese 37-vjeçare, që ishin larguar më 15 gusht 1942 nga fshati Kandolin për të ushqyer bagëtinë në male.

Ata duhej të ktheheshin në mbrëmje, por pas dy muaj e gjysmë kërkime të pafrytshme, shtatë fëmijët që ishin bërë jetim u vendosën në familje pritëse.

“Ne kemi kaluar jetën tonë duke i kërkuar pa pushim. Nuk e mendonim se një ditë do t’u jepnim varrimin që meritonin”, tregon Matin Marceline, që ishte vetëm katër vjeç kur prindërit u zhdukën.