Opinione

Një Ligj për të respektuar Ligjin

Lulzim TAFA

Si fëmijë më kujtohet se më bënte shumë përshtypje kur dëgjoja apo thoshin se dikush e ka thyer ligjin.

Në imagjinatën time fëmijërore ishte fiksuar ligji si një objekt i qelqtë apo i porcelantë i cili thyhet shumë lehtë. Me padurim prisja që të shoh figurën e ligjit dhe pse ligji ishte aq “objekt” i ruajtur dhe kur thyhej (shkelej) shkonte dikush në burg. Pse nuk shkohej në burg kur thyenim gota e pjata, kurse për ligj po?

Kur fillova të kuptoj esencën e ligjit dhe dispozitat e tij, e kisha të qartë se përnjëmend ligji nuk duhej të thyhej.

E pash se ligji dhe ligjet ishin bërë për t’u shërbyer njerëzve, që të siguronin zhvillimin normal të jetës në tokë.

Me ligj mbrohen të gjitha të mirat juridike: jeta e njeriut, integriteti trupor, shëndeti, liria, pasuria, ekonomia, nderi e autoriteti, martesa dhe familja, integriteti seksual, por edhe shteti dhe rregullimi shtetëror, integritetit territorial etj, etj. Të gjitha këtyre të mirave juridike Kodi ynë Penal u ka siguruar një mbrojtje juridiko-penale. Kushdo që shkel dispozitat e Kodit Penal, dënohet sipas këtij kodi. Me ligj ishte rregulluar funksionimi i çdo segmenti jetësor. Tani e kisha të qartë se pse dramatizohej aq shumë thyerja (shkelja) e ligjit dhe, me kalimin e kohës, të më zbehej gjithnjë e më shumë simpatia madje edhe për disidentët që i kisha pasur shumë për zemër, apo edhe artistët e padisiplinuar që thoshin se detyra dhe misioni i artit është pikërisht thyerja konvencionale.

Të them të drejtën “letërsia alternative” më nuk më lexohet dhe ndoshta shpejt do ta hap një polemikë në formë debati më të. Madje, Xhaxhin Imer që e kishte vizatuar simbolin fashist në vagonët e trenit para tridhjetë vjetëve, tani më duket se pak e kanë dënuar. Kështu, duke këmbëngulur që ligji duhet respektuar, mendoj se sa i pashpirt jam bërë. Por, mua më mban të fortë fakti kur mendoj se sa të pashpirt janë ata që e shkelin ligjin dhe, vazhdoj të besoj se më të pashpirtët se ne që kërkojmë të zbatohet ligji, janë pikërisht ata që e shkelin atë.

Thosha se ligji është i shenjtë. Nuk ka detyrë më humane se të zbatosh ligjin, sepse vetë ligji është human, por që nuk lejohet të nëpërkëmbet. Dispozitat dhe paragrafët e ligjit nuk duhet të interpretohen si vargje të poezisë hermetike, por secili prej këndit të vet, edhe pse me përjashtim të të Drejtës Penale që vlen parimi “Nollum crimen nulla poena sine lege”, në disiplinat tjera të drejtësisë lejohet interpretimi madje edhe plotësimi i vakumit juridik, por me metoda gjithsesi ligjore.

Pra, me përjashtim të ligjit penal, ligjeve të tjera mund t’u bëhej interpretim pse jo madje edhe interpretim logjik, historik, teleologjik-qëllimor etj., apo edhe mund të konsultoheshim me praktikën juridike apo precedentët juridikë. Lejohet, pse jo, edhe plotësimi i zbrazëtirave juridike me anë të analogjisë, interpretimit të ngushtë të përjashtimeve, “Argumentum a contrario, Argumentum a majori ad minus etj”.

Ligji është ligj dhe nuk duhet të shkelet nga askush, madje po bëhesha një militant i ligjit. Ligjin nuk duhet ta shkelë askush, e sidomos ata që janë të thirrur që ta zbatojnë atë. Polici, ushtari, gjyqtari, deputeti, ministri, kryeministri, presidenti, duhet të jenë shembull i respektimit të ligjit. Kështu vazhdoj të mendoj edhe sot.

Sot kemi ligje të panumërta. Nuk më kujtohet në këto çaste nëse kemi ndonjë segment apo fushë të caktuar që nuk e kemi mbuluar me ligj. Kemi ligj madje edhe për bletarinë dhe bujqësinë organike. Vetëm ligje që fillojnë me shkronjën A, janë mbi 30, e për ligje që fillojnë edhe me 35 shkronjat e tjera as të mos flasim, kemi ligje me bollëk. Problem me mungesë të ligjit nuk kemi, por problemet i kemi me mungesën e zbatimit të ligjit.

Ah, pardon, tani mu kujtua se na duhet vetëm edhe një ligj:
Ligji për respektim të ligjit.