Aktuale

Një mini-park në hyrje të Tiranës, nis transformimi i rreth-rrotullimit te Zogu i Zi

Pas rikonstruksionit të rrugës “Dritan Hoxha”, hyrjes dinjitoze të Tiranës po i shtohet edhe një hapësirë e gjelbër.

Puna e nisur pritet të përfundojë në fillim të shtatorit, ndërkohë kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se kjo ndërhyrje vjen si pasojë e nevojës për rehabilitimin e rreth-rrotullimit.

“Projekti i ri parashikon një mini-park, me një hapësirë qendrore për vendosjen e instalacioneve të ndryshme artistike, të cilat do të ndërrohen sipas stinëve. Ndërkohë, pjesa tjetër do të ketë disa hapësira me shatërvanë, ku do të mbjellim edhe bimësi shumë stinore, në mënyrë që edhe hyrja e Tiranës të ketë të njëjtin dinjitet si sheshi ‘Skënderbej’”, tha Veliaj.

Pas përfundimit të punimeve në rreth-rrotullimin e Zogut të Zi, ndërhyrja do të prekë edhe fasadat e pallateve përreth, në mënyrë që Tirana të krijojë një përshtypje sa më pozitive për këdo që viziton kryeqytetin.

Veliaj deklaroi se një nga projektet e ardhshme do të jetë ndërtimi i nënkalimit te sheshi “Shqiponja”, që do të zgjidhë përfundimisht problemin e trafikut në këtë zonë tepër të rëndësishme.

“Fillimisht do të fillojmë me nënkalimin te sheshi “Shqiponja”, aty e kemi edhe nyjën më të madhe problematike dhe për sa kohë që zgjidhim atë, duke e integruar me Unazën e Madhe të Tiranës, do të shikojmë sesi do të sillet trafiku për t’i dhënë një zgjidhje afatgjatë edhe Zogut të Zi. Por, teksa mendojmë për një zgjidhje afatgjatë, është shumë e rëndësishme edhe estetika dhe funksionaliteti i kësaj që kemi. Ndaj mezi pres që në një kohë rekord, për pak javë, të kemi një hyrje të Tiranës që është po aq dinjitoze sa hyrja e çdo shtëpie të qytetarëve të Tiranës”, theksoi Veliaj.

Rikonceptimi i rreth-rrotullimit te Zogu i Zi parashikon krijimin një miniparku me gjelbërim, disa shatërvanë, si dhe infrastrukturë ndihmëse.