Aktuale

Një person dënohet me shtatë vite burg për vjedhje

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit F.A. për veprat penale Vjedhje e rëndë.

Sipas njoftimit, i akuzuari F.A. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burg në kohëzgjatje prej 7 (shtatë) vitesh ku do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, si dhe dënim me gjobë në shumën prej 3000 (tremijë) euro.

Ndërsa, për dy pika të aktakuzës për veprat penale Vjedhje e rëndë nga neni 327 par.1 pika 1 lidhur me nenin 31 dhe 28 të KPRK-së i akuzuari është liruar.

Gjykata ka konstatuar se i akuzuari F.A. ka kryer veprën penale të vjedhjes me qëllim që me përvetësimin e pasurisë së huaj të luajtshme t’i sjell vetes përfitim pasuror të kundërligjshëm.

Të akuzuarit do t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi. Palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohen në kontest të rregullt juridiko-civil.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.