Rajon & Botë

Nuk ka shpresa për Clinton: Gjykata në Wisconsin refuzon rinumërimin

Gjykata në Wisconsin ka hedhur poshtë kërkesën e Jill Stein, e cila ishte kandidate e Partisë së Gjelbër në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, për rinumërimin e votave me dorë.

Procesi i rinumërimit të votave në Wisconsin është dashur të fillojë nesër.

Gjykatësja Valerie Bailey-Rihn, duke hedhur poshtë kërkesën e Stein, ka thënë se nuk do të jetë e nevojshme që të angazhohen 72 zyrtarë në rinumërim të votave.

“Unë e respektoj ligjin … pavarësisht mendimit tim personal. Ndoshta nuk mund të pajtohem me këtë, por unë duhet të respektoj ligjin”, ka thënë Bailey-Rihn, raporton Reuters.

Bailey-Rihn ka thënë se Stein dhe avokatët e Clinton nuk arritën të dëshmojnë ndonjë parregullsi që provon se tabulatorët elektronik mund të jenë problematik në numërim.

Presidenti i sapo zgjedhur, Donald Trump, ka thënë dy ditë më parë që do të kishte fituar më shumë vota popullore në zgjedhjet presidenciale nëse nuk do të kishte “shumë miliona votues të paligjshëm”.

“Përveç fitores së shumicës së votave të Kolegjit Elektoral, kam fituar më shumë vota popullore në qoftë se nuk llogariten miliona njerëz që kanë votuar në mënyrë të paligjshme”, tha Trump në Twitter.

Rinumërimi kërcënon të ringjallë debatin lidhur me legjitimitetin e fitores së Trump, që mori shumicën e votave të kërkuara të Kolegjit Elektoral, ndërsa rivalja e tij në zgjedhjet presidenciale ka fituar më shumë vota të popullit, ka vlerësuar AFP.

Reuters tha se udhëheqja e Clinton, sipas votave nga populli, tejkalon dy milion vota dhe pritet të rritet në më shumë se 2.5 milion, për shkak se numërimi i votave vazhdon në shtete me popullatë të dendur amerikane, të tilla si California.

Votuan miliona zgjedhës dhe Tramp fitoi ndaj Clinton në të tri shtetet – me rreth 27,000 më shumë vota në Wisconsin, 12,000 në Michigan dhe 68.000 në Pensylvania, ndërsa Jill Stein mori rreth një për qind të votave në të tri shtetet./GazetaExpress/