Aktuale

Nuk ka tërheqje të njohjes ndaj Kosovës, sot Liberia demanton Serbinë

Serbia vazhdon propagandën se shtetet që e kanë njohur Kosovën dita ditës po pakohen.
Mediat serbe raportuan se Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dje (e enjte) kishte takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Liberisë, Gbezongar Milton Findley, të cilin ai e falënderoi për siç tha ai vendimin e vendit të tij për të anuluar njohjen e Pavarësisë së Kosovës.

Burimet e afërta të lajmi.net brenda ministrisë së Punëve të Jashtme, thanë se një informacion i tillë nuk është aspak i vërtetë. Sipas burimeve Serbia po vazhdon propagandën e saj, andaj sot pritet që Liberia të dal me një deklaratë ku do ta demantojë Serbinë për ç’njohje të Kosovës.

Gjithashtu, se Liberia e ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës, është demantuar edhe nga ministri i Jashtëm kosovar, Behgjet Pacolli, shkruan lajmi.net.

Ai dje tha: Sapo bisedova me Qeverinë e Liberisë dhe ata më konfirmuan se Liberia nuk ka lëvizur nga qëndrimi i mëparshëm në lidhje me njohjen e shtetit tonë. Lajmet dhe njoftimet e shpërndara nga mediat serbe janë të rreme dhe pjesë e përpjekjes me lajme të rreme nga Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daqiq. Ne, do t’i kundërshtojmë këto veprime.

Ndryshe, informacione të tilla për tërheqje të njohjes së Kosovës, Serbia kishte dhënë edhe muaj më parë siç ishte rasti i Guenea Bissau, Surinami, Ganës, por këto shtetet e demantuan Serbinë, i fundit ishte rasti me Ganën.

Ndryshe, ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq sot ka thënë se “kjo tërheqje e njohjes është në mesin e dhjetëra sish që po shqyrtojnë vendimet e tyre”.

“Të paktën dymbëdhjetë vende aktualisht po e masin qëndrimin ndaj Kosovës. Shumë vende e kanë njohur Kosovën pa pasur informacionin e duhur dhe tani, kur e shohin se si ndodhen gjërat, ata po i shqyrtojnë vendimet, kështu që kemi arsye të besojmë se numri i njohjeve do të bie nën 100 dhe pastaj të ashtuquajturat” Kosova mund të ëndërrojë vetëm të bëhet pjesë e organizatave ndërkombëtare”, tha kryediplomati serb.

Liberia njohu Kosovën shtet të pavarur e sovran më 30 maj 2008.

Kujtojmë, se takimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë do të mbahet të dielën në Bruksel nën patronazhin e Bashkimit Evropian. Kjo është thënë se do të jetë faza finale e dialogut ku do të përfundojë me një marrëveshje përfundimtare. /Lajmi.net/