Aktuale

Nuk morën masa për ndërtimet pa leje, Çako ‘shkrin’ stacionin e policisë në Velipojë

Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako, përmes një njoftimi për mediat bën me dije se ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale “Për kryerjen inspektimit, verifikimin e ndërtimeve pa leje në Njësinë Administrative Velipojë, si dhe masat e marra nga Policia, për vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetësave që kanë kryer ndërtime pa leje në këtë territor”.

Lidhur me zbatimin e këtij urdhri, mësohet se datë 7 korrik është kryer inspektim në Stacionin e Policisë Velipojë, Komisariati i Policisë Shkodër.

Nga verifikimet dhe veprimet e kryera rezultuan disa ndërtime pa leje, si dhe u konstatuan këto mangësi nga Policia vendore:

• Mosnjohja e situatës në lidhje me kontrollin e territorit për ndërtimet e paligjshme kryesisht në zonën e plazhit (përgjegjësi ka ndihmës specialisti i Policimit në Komunitet, specialisti për Krimet dhe Shefi i Stacionit të Policisë).

• Nuk janë zbatuar detyrat e përcaktuara në aktet e ardhura nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (me përgjegjësi ngarkohet Specialisti për Krimet dhe Shefi i Stacionit të Policisë Velipojë).

Nisur nga shkeljet e konstatuara Drejtori i Policisë së Shtetit ka vendosur:

– shkarkimi nga detyra i Shefit të Stacionit të Policisë Nënkomisar E.Gj.

– pezullimi nga detyra i Specialistit për Krimet Nënkomisar D.S.j dhe ndaj tij nis hetimi disiplinor

– fillimi i ecurisë disiplinore për shkelje të rënda displinore ndaj Nd/Specialistit të Policimit në Komunitet, Inspektor P.N.

“Policia e Shtetit është e vendosur të ndëshkojë ashpër çdo paligjshmëri, përfshirë edhe masat ndaj punonjësve të saj, kur konstatohen shkelje në detyrë. E në këtë kuadër, ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo rast që konstatojnë.”, -thuhet në njoftimin e policisë.

/Gazeta Express/