Ekonomi

OAK i bashkon shtypshkronjat

Sot në Odën e Afarizmit të Kosovës u krijua këshilli iniciues që të krijohet “Shoqata e Shtypshkronjave në Kosovë”, veprimtari e cila sipas përfaqësuesve të kësaj Ode, po shkatërrohet dita ditës për shkak të shumë barrierave tatimore që u ka krijuar shteti.

Hasan Gigollaj nga bordi i OAK i njoftoi afaristët e pranishëm me qëllimin e themelimit të OAK-ut si dhe nevojën që ka biznesi që të jetë i bashkuar.

Ndërsa, Ismet Mulaj drejtor Ekzekutiv i premtoi biznesit të shtypshkronjave, që OAK do të jetë avokuesi më serioz i tyre, sepse sipas tij, shtypshkronjat po ballafaqohen me shumë probleme, që nga barrierat e shumta tatimore dhe deri të konkurrenca jo lojale në treg.

Biznesi i shtypshkronjave e mirëpriti këtë iniciativë dhe tregoi sfidat nëpër të cilat po kalojnë, duke bërë thirrje OAK-ut që sa më shpejt të themelohet Shoqata e Shtypshkronjave në Kosovë.

Ata thonë se duke marrë parasysh problemet e shumta me të cilat ballafaqohen kjo kategori e bizneseve, vazhdimisht kanë marrë premtime të shumta nga ana e institucioneve qeveritare për eliminimin e barrierave tatimore, por kjo gjë nuk është realizuar deri më tani.

Në këtë takim u dakordua që me fillim të muajit korrik të ftohen të gjitha bizneset nga kjo veprimtari me qëllim të zgjedhjes së kryetarit të shoqatës dhe miratimit të kërkesave që kanë shtypshkronjat për institucionet e vendit./KosovaPress/