Aktuale

O’Connell: Krimi i organizuar duhet të luftohet fuqishëm

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka thënë sot se krimi i organizuar dhe dukuritë tjera kundërligjore duhet të luftohen fuqishëm dhe premtoi se vendi i tij do të ofrojë mbështetje në këtë drejtim.

Ai këto komente i bëri gjatë takimit me Kryeprokurorin i Shtetit, Aleksandër Lumezi, me të cilin biseduan për punët që është duke i bërë Prokurori i Shtetit dhe për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy sistemeve prokuroriale të dy vendeve.

Diplomati britanik ka vlerësuar punën që është duke e bërë Prokurori i Shtetit, duke theksuar se prokurorët duhet të tregojnë rezultate dhe profesionalizëm të lartë gjatë punës së tyre të paraparë me ligj.

Ndërsa, kryeprokurori Lumezi, njoftoi ambasadorin britanik për veprat penale kundër të drejtës së votimit, si dhe për kanosjet që kanë cenuar përcaktimin e lirë të votuesve, duke premtuar se do të ndjekjen dhe hetohen te gjithë ata persona që kanë rënë ndesh me ligjin gjatë procesit zgjedhor.

Ai po ashtu ka theksuar se është duke u bërë një punë e mirë nga prokurorët, por shprehu nevojën e një angazhimi më të madh në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit dhe dukurive tjera kundërligjore, duke shtuar këtu edhe nevojën për fuqizimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftimin sa më të mirë të dukurive të lartcekura.