Rajon & Botë

Oficeri i sigurisë së princeshës: Po të ndodhte kjo, Diana do të mund të shpëtonte nga vdekja

Ken Uarfe ka qenë oficeri mbretëror i sigurisë së princeshës Diana dhe e di më mirë se kushdo tjetër se çfarë duhej bërë për ta mbrojtur atë.

Në një përmbledhje të rifreskuar të kujtimeve të tij, ai shpjegon pse vdekja e Dianës në Paris nuk duhej të ndodhte kurrë.

“Nata ishte shumë e nxehtë dhe ndodhesha në shtrat, kur qetësia u prish nga një mesazh në aparatin ‘pager’ në 4 të mëngjesit”, kujton Uarfe.

Mesazhi i kërkonte që të kontaktonte me urgjencë shefin Dai Davies nga Departamenti i Mbrojtjes së Familjes Mbretërore dhe Diplomatëve.

Pas disa minutash, Ken Uarfe arriti të lidhej në telefon me shefin Dai Davies.

“Kam disa lajme të këqija”, u shpreh Davies, pa shumë hyrje. Më pas ai tha: “Princesha e Uellsit ka vdekur, e vrarë në një incident rrugor në Paris këtë mbrëmje”.

Oficerit mbretëror iu kërkua të kthehej me urgjencë në Londër për të ndihmuar në koordinimin e funeralit.

Por ai kujton se disa herë, derisa u largua nga mbrojtja e Dianës në vitin 1993, kishte menduar se ishte momenti i përshtatshëm për të dhënë dorëheqjen.

Ai thotë edhe se Trevor Rees-Jones, truproja i Dianës në Paris, nuk ishte nga departamenti që e kishte ruajtur princeshën për 15 vjet, por ishte një ish-ushtar.

“Rees-Jones ishte një ish-ushtar dhe nuk kishte marrë trajnimet e nevojshme për të mbrojtur një anëtar të Familjes Mbretërore. Kur ai mësoi se ishte caktuar nga familja Fayed për të ruajtur Dianën në Francë, ai mund të ketë kontaktuar jozyrtarisht me ‘Scotland Yard’ (policia e Londrës) për të marrë informacion”, shkruan Ken Uarfe në kujtimet e tij.

Ai shton se roli primar i një oficeri mbrojtjeje (truprojë) është të përdorë shërbimet inteligjente, kontaktet dhe instiktet e tyre, në mënyrë që ta mbajë personin që ruan larg konfrontimit.

“Në rastin e Rees-Jones, truprojës së Dianës, ai nuk i kuptoi fotografët, ndoshta duke e menduar shtypin si një armik dhe duke iu referuar atyre si snajpera me objektivat e tyre të zgjatur nga aparatet fotografikë”, shprehet Uarfe.

Në të njëjtën kohë, ai duket se ishte mbizotëruar nga princesha Diana, pasi në një libër të tijin shprehet se ajo ishte shumë tërheqëse dhe ndaj ai donte të bënte gjëra që do ta kënaqnin.

“Kjo është e papajtueshme me misionin e mbrojtjes. Për hir të sigurisë së Dianës, ai asnjëherë nuk duhej të kishte frikë apo tërheqje prej saj”, shprehet oficeri mbretëror i sigurisë.

“Dhe ajo që është më e rëndësishme, truproja Rees-Jones bëri një gabim të madh në gjykim, duke i lejuar Dodi Fayed të hynte në lojën e ‘mposhtjes së paparacëve’, që çoi në përplasjen fatale me shpejtësi të lartë, në tunelin e Parisit, më 31 gusht 1997”, shkruan Ken Uarfe.

Sipas tij, “nëse një oficer sigurie nga ‘Metropolitan Police’ do të ishte me të, Diana kurrë nuk do të hipte në një makinë me një shofer të dehur. Jo vetëm eksperienca, por edhe ndjenja e zakonshme nuk do ta lejonte”.

Për Ken Uarfe, i cili e ka shqyrtuar me detaje rastin dhe hipotezat e ngritura se vdekja e Dianës mund të mos jetë një aksident.

“Gabimi i parë ishte se u përdor një truprojë i thirrur nga familja Fayed, i cili nuk ishte në gjendje t’i kundërshtonte punëdhënësit e tij. Dodi i dha urdhër Henri Paul të merrte timonin e automjetit atë mbrëmje. Truproja duhej ta ndalonte atë dhe të refuzonte që Diana të ngjitej në makinë”.

“Dodi i kërkoi shoferit të ecte me shpejtësi. Rees-Jones duhet ta kundërshtonte këtë. Një oficer sigurie i policisë nuk do të hezitonte të kthente dëshirat e Dodit”, thotë Uarfe.

Sipas tij, parësore duhej të ishte siguria fizike e princeshës, pasi në fund të fundit, fotografët po “gjuanin” me blice dhe jo me plumba. /Shekulli/