Aktuale

OJQ’të kërkojnë nga Kurteshi të kërkojë falje për gjuhën fyese ndaj Ministres Hoxha

Koalicioni i organizatave joqeveritare “Të Drejtat e Barabarta për të Gjithë” ka reaguar ndaj deklaratës së Sami Kurteshit, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-Avokat i Popullit, i cili Ministren e Drejtësisë, Dhurata Hoxhën e ka quajtur “lopë”.

 

“Jemi të zhgënjyer nga z. Kurteshi, sepse para se të angazhohej në politikë, ai për disa vite ka qenë udhëheqës i institucionit kryesor për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, obligim i të cilit është edhe mbikëqyrja e nivelit të respektimit të barazisë gjinore në shoqëri”

“Përdorimi i kësaj gjuhe është absolutisht i papranueshëm që të jetë prezent në skenën politike në Kosovë dhe shënon tejkalim të vijave të kuqe në diskursin publik. Mospajtimet dhe kundërshtimet në mes politikanëve duhet të bëhen me argumente dhe fakte, prandaj assesi nuk guxojnë të përfshijnë fyerje në baza gjinore”.

“Ne si Koalicion i organizatave joqeveritare kërkojmë nga z. Kurteshi dhe nga subjekti politik të cilit i takon që të kërkojnë falje publike për gjuhën fyese dhe denigruese të përdorur kundër një gruaje politikane.

Sjellja e tillë është ofenduese jo vetëm ndaj znj. Hoxha, por edhe ndaj të gjitha grave kosovare në përgjithësi”, thuhet në reagim.