Rajon & Botë

OKB kritikon Trumpin për shkeljet e të drejtave të njeriut

Një grup ekspertësh të Kombeve të Bashkuara thanë të mërkurën se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) Donald Trump, me urdhërin e tij të fundit për emigrantët dhe refugjatët ka shkelur detyrimet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut me theks të veçantë parimet e mosdëbimit me forcë të refugjatëve si dhe të mosdiskriminimit në bazë të racës, kombësisë apo religjionit, raporton Anadolu Agency (AA).

Urdhri ekzekutiv i Trumpit nga java e kaluar ndalon hyrjen në SHBA në 90 ditët e ardhshme të shtetasve nga shtatë shtete me shumicë muslimane, Iranit, Irakut, Libisë, Somalisë, Sudanit, Sirisë dhe Jemenit.

Urdhri në fjalë ndërprenë plotësisht për një periudhë 120 ditëshe programin e SHBA-ve për refugjatë, si dhe pengon hyrjen në shtet të mbi 50.000 sirianëve që është planifikuar të bëhet gjatë vitit fiskal 2017 i cili fillo në shtator të vitit të kaluar dhe duhet të përfundojë në tetor të këtij viti.

“Një urdhër i tillë në mënyrë të qartë është diskriminues në bazë të kombësisë së dikujt dhe çon në rritjen e stigmatizimit të komuniteteve myslimane”, thuhet në kumtesën e raportuesve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), atij për refugjatë François Crepeau, raportuesit për emigrantë, Mutuma Ruteere, për racizëm Ben Emmerson, për të drejtat e njeriut dhe kundër terrorizmit, Nils Melzer, dhe Ahmed Shaheedon për lirinë e religjionit.

“Në vazhdën e krizës më të madhe të refugjatëve në historinë e njerëzimit që prej Luftës së Dytë Botërore, ky paraqet një hap të madh prapa për ata të cilët në fakt kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.

“SHBA-të janë të përfshira në konfliktet në Irak dhe Siri, dhe përgjegjësia e tyre duhet të shtrihet në ofrim të strehimit për ata që largohen nga konfliktet”, përfundon deklarata.