Rajon & Botë

Operacioni – Itali, arrestohen 38 persona për trafik klandestinësh

Policia italiane me urdhër të Prokurorisë së qytetit të Palermos e të Drejtorisë së Përgjithshme Antimafia ka ekzekutuar në orët e para të mëngjesit të sotëm një operacion ndaj një organizatë kriminale që merrej me trafikun e emigrantëve klandestinë përmes detit, e pajisjen e tyre me dokumente false.

38 persona janë arrestuar nën akuzën e pjesëmarrjes në organizim kriminal që favorizon trafikun e emigracionit klandestin, ushtrimin abuziv të aktivitetit ndërmjetës financiar e trafikim ndërkombëtar lëndësh narkotike.

Hetimet kanë vërtetuar ekzistencën e një strukture organizative bazuar në një sistem kriminal të rrezikshëm me fluks të madh parash bazuar në trafikun e emigrantëve klandestinë e me transaksione financiare të kryera me anë të sistemit të ligjit islamik “hawala” me qendër në një aktivitet tregtar me seli në Romë.

Pak ditë më parë më 13 qershor në këtë shoqëri tregtare janë sekuestruar 526 mijë euro e 25 mijë dollarë cash si dhe një libër me emrat e të gjithë shtetasve të huaj që kjo shumë parash i referohej.

Sipas policisë italiane kjo organizatë kriminale favorizonte emigracionin klandestin jo vetëm me anë të detit por dhe me anë të pajisjes me dokumente bashkimi familjar të falsifikuara.

Hetimet kanë vërtetuar dhe një trafik të madh droge të tipit importuar nga Etiopia dhe e konsideruar nga ligjet italiane si lëndë narkotike e rëndë.