Aktuale

Opozita kërkon pezullimin e dialogut me Serbinë

Shefat e grupeve parlamentare nga tri subjektet opozitare, duke shprehur qëndrimet e partive të tyre, kanë kërkuar që të pezullohet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Valedete Bajrami, shefe e Grupit Parlamentar të Nismës për Kosovën ka deklaruar se  vazhdimi i dialogut  i me Serbinë duhet të ndërpritet, përderisa nuk ka  konsensus nacional.

Për më tepër Bajrami thotë se kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe presidenti Hashim Thaçi, e kanë humbur legjitimitetin, meqë sipas saj, asnjëri nga ta nuk ka diskutuar në Kuvend lidhur me këtë çështje.

Ajo u ka bërë thirrje deputetëve të koalicionit qeverisës që të nënshkruajnë kërkesën  për  seancën e jashtëzakonshme në lidhje me këtë çështje.

“Derisa të jemi të barabartë në atë tryezë, dialogu duhet të pezullohet”, tha Bajrami.

E Glauk Konjufca, kryetar i GP të VV-së, ka rikujtuar premtimet e qeverisë së Kosovës që kishte dhënë në nismën e dialogut në mes Prishtinës dhe Beogradin, duke shtuar se ato kanë rezultuar vetëm një mashtrim

“Kur pati filluar dialogu në vitin 2011 qeveria pati premtuar se dialogu do të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia . Premtimi i dytë ka qenë se dialogu sjell integrimet evropiane, dhe 3 integrimi i serbëve brenda Republikës së Kosovës. Këto premtime kanë dalë mashtrime, dhe qeveritarët duhet të japin llogari”, tha Konjufca.

Ndërsa  Pal Lekaj kryetar i GP të AAK-së,  tha se nga ky dialog ka përfituar vetëm Serbia sepse me dinakëri e ka përdorë dialogun me Kosovën dhe është afruar  me Bashkimit Evropian.

Ai tha se duhet të ndërpritet ky format I bisedimeve me Serinë, derisa Kosovë të shkojë qartë në bisedime me Serbinë. /kp