Aktuale

Opozita-Mustafës: Demarkacioni është kauzë reale, ju ishit pengesë për zhvillimin ekonomik

Tri subjektet opozitare kanë reaguar ndaj kryeministrit, Isa Mustafa i cili tha se nuk duhet të lejojmë që kauzat fiktive ta pengojnë zhvillimin ekonomik të vendit. Sipas opozitës, Demarkacioni me Malin e Zi është kauzë reale dhe se nuk kjo nuk ka qenë pengesë për zhvillimin e ekonomik të vendit, pengesë sipas opozitare ishte vet pushteti.

Kryeministri, Isa Mustafa ka thënë se nuk duhet të lejohet që kauzat fiktive dhe popullzimi fiktiv i disa politikanëve ta pengojnë zhvillimin ekonomik.

“Nuk duhet të lejojmë që kauzat fiktive, popullizmi banal, folklorizmi dhe protagonizmi ditor i disa politikanëve në Prishtinë, të sfidojnë zhvillimin e qyteteve tona”, ka shkruar Mustafa duke aluduar kështu në problemin e demarkacionit me Malin e Zi.

Por, subjektet opozitare kanë reaguar duke thënë se Demarkacioni nuk është kauzë e rrejshme dhe se pengesë për zhvillimin ekonomik të vendit ka qenë pushteti aktual dhe jo çështja e demarkacionit.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi ka thënë për lajmi.net se kauza e demarkacionit nuk është e rrejshme dhe se ajo nuk po kundërshtohet vetëm nga opozita, por edhe nga një pjesë e konsiderueshme e deputetëve të koalicionit qeverisës.

“Një kauzë të tillë jo vetëm që po e kundërshton opozita, por edhe një numër i konsiderueshëm i deputetëve të partisë së kryeministrit dhe i partive tjera në koalicion. Por çka është edhe më rëndësishme, këtë marrëveshje po e kundërshton edhe qytetaria, populli i Kosovës. Kjo kauzë nuk është e rrejshme, ajo është reale”, ka deklaruar Kurteshi.

Më tej, ai ka thënë se koalicioni me mbi 80 vota po ankohet duke thënë se opozita po e pengon për zhvillimin ekonomik të vendit. Por, kjo sipas Kurteshit është një e pavërtetë e madhe, pasi sipas tij, pengesa për mungesën e zhvillimit ekonomik të Kosovës është vet ky pushtet.

“Një koalicion të tillë e pengon vetëm paaftësia e tyre, madje edhe mos interesimi e mungesa e vullnetit për ta zhvilluar vendin, si edhe interesimi i madh që pushtetin ta keqpërdorin për zhvillimin familjar e klanor. Zhvillimit ekonomik të vendit i hap rrugë vetëm një udhëheqje e pakorruptuar, e cila ka projekte për zhvillim, e cila nuk pengon zhvillimin duke u munduar që në investim të bëhet hisedare dhe duke investuar në sektorët që e mundësojnë prodhimin vendor”, është shprehur Kurteshi.

Edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu ka thënë se sa herë që kryeministri, Isa Mustafa dëshiron ta shfajësojë vetën për mungesën e rezultateve për zhvillim ekonomik, thirret në pengesën që gjoja se i ka paraqitur kauza e opozitës, të cilën ai e quan të rrejshme.

“Kjo Qeveri është kauzë e rrejshme, pasi nuk i sjelli zhvillim ekonomik vendit, nuk i punësuar mbi 320 mijë qytetarë ashtu siç patën premtuar para zgjedhjeve, nuk realizuan programin qeverisës të cilin e kishin hartuar vet. Kështu kryeministri prapë po mundohet t’i mashtrojë qytetarët, por në fakt qytetarët e kanë kuptuar se kjo Qeveri siç ka ardh me premtime të parealizueshme duhet të shkoj sa më shpejt”, ka thënë deputetja Haxhiu në një prononcim për lajmi.net

Më tej, ajo është shprehur e bindur se Marrëveshja e Vjenës nuk o të ratifikohet në Kuvend.

“Koalicioni qeverisës i ka mbi 80 deputetë, pra le ta sjellë në kuvend demarkacionin, le ta sjell në Kuvend pra. Ne e kemi qëndrimin tonë të palëkundur dhe fuqishëm besojmë edhe në votën kundër të shumë deputetëve të partisë së Isa Mustafës dhe të PDK-së. Besoj që shumë shpejt do të shkohet në zgjedhje të parakohshme”, ka përfunduar Haxhiu.

Ndërkohë shefja e Grupit Parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami ka thënë se kryeministri, Isa Mustafa po mundohet që t’i mashtrojë qytetarët duke thënë se ratifikimi i marrëveshjes së 26 gushtit 2015 është në të mirë të vendit. Por, Bajrami është shprehur e bindur se kjo marrëveshje nuk do të ratifikohet.

“Por, edhe një herë po duhet me iu rikujtu juve se marrëveshja për demarkacionin ashtu siç ju po doni ta ratifikoni nuk do të kaloj, asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të bëhet ashtu siç ti ke dashur por do të bëhet mbi bazën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese… dhe nga keq qeverisja juaj sot Kosova mbetet i vetmi vend pa liberalizim të vizave edhe një premtim i juaji i parealizuar, ju dështuat në të gjithë dikasteret por jo edhe në ato borde e agjensione të “pavaruara” aty keni ditur shumë mirë të punoni e t’i uzurponi me bashkpartiak”, ka shkruar Bajrami në profilin e saj në “Facebook”.

Përndryshe, ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi është kushti i fundit i papërmbushur në procesin e liberalizimit të vizave. Megjithatë, koalicioni qeverisës që nga 26 gushti i vitit 2015 kur është nënshkruar kjo marrëveshje në Vjenë nuk ka arritur të siguroj 80 votat e nevojshme për ratifikim, pavarësisht faktit se koalicioni qeverisës i ka më shumë se 80 deputetë, por një pjesë e tyre kanë dal kundër kësaj marrëveshjeje pasi vlerësojnë se me të Kosova i humbi mbi tetë mijë hektarë tokë.