Aktuale

Pacolli e padit Kosovën në Arbitrazh (Foto)

Qeveria e Kosovës do të ketë edhe një betejë tjetër në Gjykatën e Arbitrazhit. Pasi humbi betejën me “Z Mobile” dhe është në një tjetër betejë me kompaninë AXOS, institucionet ekzekutive të vendit do të përballen edhe me një padi tjetër.
Hiç më pak sesa biznesmeni Behxhet Pacolli dhe kompania e tij “MabCo Contructions” ka paditur Qeverinë e Kosovës, përkatësisht Ministrinë e Drejtësisë.

Lajmin e ka marrë vesh Insajderi përmes burimeve të saj, ndërsa vetë Gjykata e Arbitrazhit e njohur me emrin zyrtar si Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve, e ka publikuar këtë informacion në faqen e Bankës Botërore.

Përmes këtij publikimi, Arbitrazhi ka treguar se e ka pranuar lëndën e kompanisë në pronësi të Pacollit, me datën 21 korrik.

Në këtë informacion thuhet se subjekti i mosmarrëveshjes është “blerja e aksioneve” dhe hyn te sektori i turizmit, sipas të dhënave të publikuara nga Arbitrazhi.

Padia e kompanisë në pronësi të Pacollit ka të bëjë me rastin e Hotel “Grandit” të cilin Pacolli e kishte blerë e më pas i ishte anuluar ky privatizim. Kjo temë ka qenë një ndër më të komentuarat në vitet e fundit në Kosovë, sa i përket skandaleve të privatizimit në vend.

Pranimi i lëndës në Gjykatën e Arbitrazhit është hapi i parë që padia të ecë tutje, megjithatë kjo nuk do të thotë asgjë për vendimet që kjo gjykatë mund të marrë.

the authorE B