Aktuale

Pacolli: Hoti po bllokon ndërtimin e parkingut nëntokësor te Filologjiku

Qeverisja e Komunës së Prishtinës po e bënë fajtor ministrin e Financave në detyrë, Avdullah Hotin për mos realizimin e projektit për parkingjet nëntokësore tek Fakulteti Filologjik.

Fitore Pacolli, shefe e kabinetit të kryetarit të Prishtinës, tha se ky projekt po bllokohet nga ministri i Financave Avdullah Hoti.

Por, sipas saj kjo nuk është hera e parë, pasi që bllokimi i projekteve madhore të komunës së Prishtinës kanë ndodhur që nga fillimi i qeverisjes së Vetëvendosjes.

“Ndërtimin e projektit të parkingut nëntokësor pranë Fakultetit Filologjik e cila po vazhdon të bllokohet nga ministri i Financave në largim dhe njëkohësisht edhe kandidati për kryeministër nga radhët e partisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Bllokimi i projekteve të mëdha në Komunën e Prishtinës nga niveli qendror, përkatësisht nga partitë të cilat bashkë qeverisen viteve të fundit nuk është gjë e re. Pra, ajo ka vazhduar qysh nga fillimi i mandatit të Lëvizjes Vetëvendosje në krye me Shpend Ahmeti këtu në komunën e Prishtinës dhe vazhdon të bllokohet ende edhe pse tash kjo qeveri është në ikje e sipër”, tha ajo.

Sipas saj, dy partitë e ish- koalicionit qeverisës edhe pse tani janë ndarë po vazhdojnë të bllokojnë projektet e komunës së Prishtinës.

Ndërsa, drejtori i zhvillimit ekonomik, Genc Bashota, tha se Avdullah Hoti në funksion të udhëheqësit të Komitetit të partneritetit publiko-privat është duke e bllokuar projektin për parkingun nëntokësor qe 5 muaj.

Kemi filluar së pari me këtë projekt të parkingut nëntokësor pranë fakultetit filologjik, ku mendohet të ndërtohen 500, minimum 500 vend parkingje nëntokësore, një numër i vogël i lokaleve dhe sipas vlerësimeve fillestare projekti kap vlerën afërsisht 12 milion euro. Siç e kërkojnë procedurat ne i kemi dërguar të gjitha dokumentet përkatëse në njësinë e departamentit qendror e cila gjendet në kuadër të Ministrisë së Financave. Ajo njësi ka afat një muaj që ti analizoj, në ndërkohë ata kanë bashkëpunuar me ne, bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë kanë dhënë sugjerimet të cilat i kemi diskutuar dhe jemi dakrorduar për to dhe më pastaj e dërgon në komitetin e partneritetit publiko-privat në të cilin janë pesë ministra në krye me ministrin Hoti”, tha ai.

Sipas tij, pasi që njësia e departamentit qendror ka dërguar rekomandime, komiteti ka filluar me obstruksione të cilat po vazhdojnë që pesë muaj.

“Ligji për partneritet publiko-privat kërkon që brenda 30 ditëve ky komitet duhet të përgjigjet me një përgjigje që e ka aprovim apo refuzim. Prej mbledhjes së fundit kanë kaluar 50 ditë e gjatë procesit kanë kaluar 5 muaj, do të thotë është një shkelje e tejskajshme e të gjitha kompetencave të nivelit ministror”, tha ai.

Sipas tij, e gjithë kjo po ndodh se vetëm se ata nuk e kanë udhëheqjen e qytetit të Prishtinës./KP