Aktuale

Pacolli: Për Kosovën, Franca mbetet partner i fuqishëm në mbrojtjen e demokracisë

Gjatë një ceremonie zyrtare të mbajtur sot në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme është nënshkruar Marrëveshja e Mirëkuptimit në mes të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Administratës Publike dhe Ambasadës së Francës në Republikën e Kosovës për bashkëpunim në “Avancimin e Mësimit të Gjuhës Frënge për Zyrtarët e Lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bashkëpunimit në Fushën e Aktiviteteve për Promovimin e Frankofonisë në Kosovë”.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje u bë nga Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, Ministri i Administratës Publike, Mahir Yağcılar si dhe Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert.

“Memorandumi, që ne nënshkruam sot, do të krijojë mundësi të reja për shërbyesit civil të institucioneve të Kosovës, të cilët do të mund të përfitojnë nga programe të shumta të Institucioneve franceze, të Bashkimit Evropian dhe Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë. Në mesin e atyre, që do të përfitojnë nga ky program, do të ketë diplomatë, deputetë, zyrtarë të lartë – të cilët pas pak viteve, do të jenë bartësit e misionit të gjerë të Frankofonisë në rajon dhe krahas diplomatëve francez, do të lobojnë – në gjuhën frënge – për mbrojtjen e vlerave, që i bashkojnë popujt frankofon.”, ka thënë Pacolli.

Në fjalimin e tij, pas nënshkrimit të Marrëveshjes, siç njofton kumtesa nga kjo ministri, Pacolli ka prezantuar edhe të arriturat konkrete prej se vendi ynë u anëtarësua në këtë Organizatë.

“Që nga anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Frankofonisë në cilësinë e anëtarit vëzhgues, janë shënuar arritje të matshme pozitive, në mes të të cilave mund të përmenden: anëtarësimi i Universitetit të Prishtinës në Agjencinë e Universiteteve Frankofone (AUF) dhe krijimi i Qendrës Frankofone Universitare; hapja e shkollës së parë franceze në Prishtinë; themelimi i Klubit të Bizneseve Frankofone (KOCAF); shumëfishimi i aktiviteteve kulturore frankofone në Kosovë”, ka vazhduar ai, duke falënderuar Ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert dhe ekipin e tij për punën e shkëlqyeshme në zhvillimin e projekteve si dhe Ministrin Yagçilar, për përkushtimin e tij në mbështetjen që i ka dhënë këtij projekti.

“Për Kosovën, Franca mbetet partner i fuqishëm në mbrojtjen dhe promovimin e demokracisë dhe vlerave të saj. Unë jam i bindur që programe të tilla konkrete të bashkëpunimit në mes të vendeve tona do të shërbejnë në forcimin e mëtutjeshëm të lidhjeve në mes të institucioneve dhe shoqërive tona demokratike”, ka thënë Pacolli.