Aktuale

Pacolli u reagon serbëve: Kosova nuk ka vështirësi të siguroj statusin e vëzhguesit në OKB

Ministri i Punëve të Jashtme, njëherësh zëvendëskryeministër, Behgjet Pacolli ka reaguar ndaj shkrimeve në mediat serbe lidhur me statusin e Kosovës në OKB.

Pacolli ka thënë se serbët dhe gjithë të tjerët që kanë njohuri procedurale të procesit të anëtarësimit e dinë që Kosova nuk e ka vështirësi që të sigurojë këtë status edhe sikur të aplikoj për të brenda këtij viti, raporton Indeksonline.

Reagimi i tij i plotë në facebook:

Po vërej se si mediat serbe vazhdojnë propagandën e oborrit qeveritar serb, fatkeqësisht edhe nëpërmjet mediave të Kosovës, duke raportuar për kinse propozime të reja “të statusit të vëzhguesit të vendit tonë në OKB”.
Serbët dhe të gjithë të tjerët, që kanë njohuri procedurale të procesit të anëtarësimit në OKB e dinë shumë mirë se Kosova, me numrin e madh të njohjeve që i ka siguruar nuk ka vështirësi që ta sigurojë këtë status edhe sikur të aplikojë për të brenda këtij viti.
Andaj, e vetmja zgjidhje e qëndrueshme dhe afatgjate për Kosovën, rajonin, BE-në dhe komunitetin ndërkombëtarë është anëtarësimi i saj i plotë në Kombet e Bashkuara dhe njohja e saj nga Serbia./Indeksonline/