Ekonomi

“Pagat në sektorin publik u rritën pesë fish më shumë se ato në sektorin privat”

Njohësi i ekonomisë Rinor Gjonbalaj ka bërë një krahasim interesant mes pagave në sektorin publik dhe atij privat. Ai i ka analizuar pagat, politikat zhvillimore, si dhe zgjedhjet në vendin tonë.

Duke u bazuar në të dhënat e ASK-së Gjonbalaj ka thenë se prej vitit 2012 pagat në sektorin privat kanë mbetur pothuajse të njejta, ndërsa në atë publik janë rritur pothuajse pesë fish më shumë.

Kjo sipas tij po i dëmton punëtorët e sektorit privat, dhe personat e papunë. Në afat të gjatë po dëmton zhvillimin ekonomik në vend.

Më poshtë postimi i plotë:

PAGAT, POLITIKAT E GABUARA, DHE ZGJEDHJET

Paga mesatare bruto e sektorit privat nga viti 2012 deri 2018 është rrit për vetëm 34 EUR. Apo thënë ndryshe, rritje prej rreth 1.5 cent për 1 orë pune. Në të njejtën periudhë, paga në sektorin publik dhe ndërmarrjet publike është rritur për 166 EUR dhe 151 EUR! 5x herë më shumë se te sektori privat! Kjo është edhe arsyeja pse të rinjtë duan të punësohen vetëm në sektor publik! (Nuk po flas fare për meritokracinë në punësim apo produktivitetin e sektorit publik).

Me projektligjin e ri, pagat në sektorin publik do të rriten përsëri në fund të ketij viti, duke rritur edhe më tutje diferencën kundrejt sektorit privat! Nëse konsideron inflacionin vjetor në vend, fuqia blerëse e punëtorit në sektor privat është zvogëluar nga viti 2012 në 2018!

Është e padrejtë rritja e pagave të qeveritarëve dhe sektorit publik, krijimi i ad-hoc skemave sociale, dhe investimi në fusha të gabuara pa kthim ekonomik, kur kemi mbi 30% të papunë dhe sektor privat që mezi po mbijeton. Zhvillimi i vendit nuk mund të bëhet duke rritur sektorin publik dhe keqmenaxhuar paratë e buxhetit, në kurriz të bizneseve dhe punëtorit të sektorit privat që merr 401 euro pagë, apo të papunëve që janë lënë në mëshirën e familjeve dhe diasporës. Fatkeqësi është që më shumë se 56% e të rinjëve janë të papunë. Kjo edhe tregon arsyen pse këta të fundit duan kaq shumë të braktisin vendin 20 vjet pas përfundimit të luftës.

E kuptoj ‘popullizmin’, por të papunëve dhe sektorit privat nuk ju ndihmohet duke ju rrit tatimet apo duke rrit pagën minimale. Kjo qasje miope vetëm sa do të rëndojë edhe më shumë situatën ekonomike në vend. Rritja e ekonomisë nuk mund të bëhet me votimin e një ligji në Parlament. Kështu nuk funksionon bota reale.

Duhet të fuqizohet sektori privat që të krijohen vende të reja pune. Duhet fundamentalisht të ndryshohet strategjia e zhvillimit të vendit përmes përkrahjes së sektorëve ku kemi avantazhe konkurruese, rritjes së investimeve të huaja direkte, rritjes së eksporteve, rritjes së shkathtësive të fuqisë punëtore, dhe rritjes së konkurrencës së lirë dhe të drejtë në treg. Vetëm kjo do të gjenerojë vende të reja pune dhe mirëqenie sociale.

Shpresoj që në këto zgjedhje sektori privat do të kërkojë plane konkrete (realiste dhe të matshme) dhe përgjegjësi nga politikanët që kërkojnë votën e tyre.

the authorBurbuqe Metolli