Aktuale

Pagnozzi takohet me Pacollin, premton mbështetje për sportin kosovar

Sekretari gjeneral i Komitetit Olimpik të Evropës, dhe drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Besim Hasani dhe sekretari i përgjithshëm Shasivar Haxhijaj, janë pritur ngrohtësisht nga zëvendës kryeministri i Kosovës,Behgjet Pacolli, njëherit ministër i Punëve të Jashtme.

Pacolli falënderoi Pagnozzin për vizitën që po i bënë Kosovës, duke i premtuar përkrahje të fuqishme të qeverisë për sportin kosovar. Takimi u mbajt në rezidencën e Pacolli në Hajvali.“Një shtet pa sport është si një trup pa gjymtyrë, prandaj ne duhet ta mbështesim sportin dhe aktivitetet sportive në të gjitha mënyrat.

Njerëzit që përfaqësojnë sportin janë ambasadorët më të mirë tonë. Prandaj, vizita e Pagnozzi është shumë e rëndësishmedhe do të doja ta shoh edhe ai se ne e duam sportin dhe merremi seriozisht me të”, u shpreh ndër të tjera Pacolli, i cili KOK-ut i premtoi se do të punojë t’ua sigurojë një ndërtesë të re. Pagnozzi u ndje falënderues për pritjen e bërë, duke thënë se medalja e artë olimpike e Majlinda Kelmendit, ia ka hapur dyert e zhvillimit sportit kosovar.“Më duhet të them se kam përshtypje jashtëzakonisht të mira nga kjo vizitë, jo vetëm për punën që Komiteti Olimpik i Kosovës është duke e bërë, por mbi të gjitha vizita e këtij mëngjesi demonstron që autoritetet politike kanë qasje shumë të afërt me sportin. Besoj që pas medaljes së artë ne Rio, sigurisht se Kosova ka shanse të mëdha për t’u zhvilluar, sepse të gjithë jemi të fokusuar ta ndihmojmë Kosovën” tha ndër të tjera Pagnozzi.

Sipas tij, Kosova ka zgjedhur rrugën më të mirë në sensin e organizimit të mirë të brendshëm, por janë duke bërë edhe një punë të thellë për të krijuar një strukturë të udhëheqësve sportivë, e kjo është shumë e rëndësishme për botën e sportit.Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani e quajti vizitën e Pagnozzit jashtëzakonisht të rëndësishme, derisa falënderoi Pacollin në emër të Lëvizjes Olimpike për pritjen dhe përkrahjen që i ka bërë sportit në vazhdimësi.

“Komiteti Evropian dhe ai Ndërkombëtar me të drejtë na konsiderojnë se jemi një foshnje e porsa lindur tre vjeçar edhe duan që ne të rritemi shëndetshëm dhe fuqishëm. Sot jemi këtu tek zëvendës kryeministi Pacolli dhe kjo dëshmon se bashkëpunimi midis pjesës jo qeveritare dhe qeveritare është jashtëzakonisht i mirë. Personalisht Pacolli na ka vizituar edhe në KOK me kapacitet e tjera, dhe vazhdon të na mbështes pasi ne kemi edhe një partneritet me Mabetex dhe kjo ka rëndësi të madhe për ne”, tha ndër të tjera Hasani.Në fund, Pragnozzi dhe Pacolli shkëmbyen dhurata simbolike.