Aktuale

Palmer: Ka mundësi të jashtëzakonshme për marrëveshje me Serbinë, SHBA nuk imponon asgjë

I ngarkuari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ka thënë sot, gjatë një paraqitjeje në Bibliotekën Kombëtare, se ajo çka ka arritur Kosova deri më tani është e jashtëzakonshme. Palmer ka folur edhe për qeverinë e ardhshme, ku u shpreh se SHBA shpreson në një qeveri të gatshme për sfidat e ardhshme, shkruan Gazeta Express.

Palmer, pas takimeve që pati me liderët e vendit, ka thënë se populli i Kosovës tregon se po punojnë vërtet për demokraci.

“Sot është e jashtëzakonshme se çfarë është arritur. Dinamizmi i Kosovës tregon se populli i Kosovës punon vërtet për demokraci. ShBA ka mbështetur këtë vend dhe SHBA mendon që paqja gjithëpërfshirëse duhet të përfshijë Kosovën. Emërimi im dhe i Grenell-it, nëse ka pasur një dyshim, është një tregues i interesimit amerikan për paqen në Ballkan”, ka deklaruar i njëjti.

Duke folur për zgjedhjet e gjashtë tetorit, Palmer ka deklaruar se qytetarët e Kosovës patën qëndrime të qarta me votën e tyre.

“Zgjidhja një herë e përgjithmonë i problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mbetet prioritet i SHBA’së. Zgjedhjet e fundit treguan fuqinë demokratike, dhe opinioni zgjodhi ndryshimin dhe ata që patën qëndrime të qarta kundër korrupsionit edhe shtetet e bashkuara i përqafojnë këto qëllime. Ne e nxisim qeverinë e re për të parë normalizimin si përforcues të kësaj agjende e jo si diçka që garon kundër kësaj. A mund të merret qeveria e re e Kosovës me prioritetit të popullit? Asaj i duhet një koalicion qeverisës që e përfaqëson popullin. Shpresojmë të shohim një qeveri të gatshme për të adresuar si sfidat e jashtme dhe ato të brendshme”, shtoi tutje.

Palmer ka folur edhe për bisedimet Kosovë-Serbi ku ka potencuar se përparimi në dialog hap mundësi të reja.

“Përparimi në bisedime me Serbinë hap mundësi të reja të zhvillimit ekonomik. Qeveria e re duhet t’i gjallërojë negociatat. Negociatat me Serbinë kanë qenë të komplikuara. Por, historia e Kosovës ka qenë gjithmonë e tejkalimit të sfidave dhe kompromiseve. Shtetësia juaj është e pakthyeshme dhe tani ju duhet normalizimi për ta kthyer potencialin e madh të këtij vendi. Mbështetja e ShBA-së për pavarësinë e Kosovës është solide. Ju meritoni të mos qëndroni prapa shteteve të bashkuara, por krah për krah me ne. Kosova i ka të gjitha dhe i mungon vetëm marrëveshja e normalizimit të raporteve me Serbinë.

Ka pasur mos transparencë në bisedime. Duhet të kenë hapësirë për t’i negociuar idetë, pa pasur frikë nga rreziku i ndëshkimit. SHBA nuk imponon marrëveshje dhe ajo duhet të arrihet nga dy vendet respektive dhe të miratohen në dy Kuvendet. Për negociatorët po thotë duhet të kenë hapësirë për t’i eksploruar idetë”, shtoi ai.

Palmer tutje ka thënë se shteti serb duhet të ndalojë fushatën për tërheqjen e njohjes së shtetit të Kosovës.

“Serbia duhet të ndalojë fushatën e saj për tërheqjen e njohjes, Serbia duhet të ndal ngacmimin e zyrtarëve serbë të Kosovës. Vuçiq e di se kurrë nuk do të hyjë në BE, pa e zgjidhur problemin me Serbinë. Prandaj le t’i dyfishojmë përpjekjet. Ne jemi gati të eksplorojmë e të bisedojmë me palët, të kjo është një mundësi e hatashme. Ju nxis ta shfrytëzoni këtë mundësi”, tha ai, derisa foli edhe për afate kohore për arritjen e marrëveshjes.

“Sa i përket afatit kohor mendoj se është një ndjenjë e urgjencës, edhe vetë ambasadori Grenell e ka përmendur se duhet të ketë një far lloj ujdie në mënyrë sa më të shpejtë. Momentalisht e keni një vëmendje shumë të madhe nga SHBA dhe e keni edhe ambasadorin Grenell që është emisar i posaçëm dhe angazhimi ynë nuk do të përfundojë në ditën e marrëveshjes, duam që të arrihet një marrëveshje që përbën normalizim të plotë të marrëdhënieve”, tha ai./GazetaExpress/