Rajon & Botë

Parisi i shpallë “luftë” minjve

Bashkia e Parisit po mbyll përkohësisht parqet e kryeqytetit në kuadër të një përpjekjeje për të luftuar minjtë. Pesë parqe janë mbyllur dhe publiku do të ndalohet të hyjë…

Bashkia e Parisit po mbyll përkohësisht parqet e kryeqytetit në kuadër të një përpjekjeje për të luftuar minjtë.

Pesë parqe janë mbyllur dhe publiku do të ndalohet të hyjë edhe në Champ de Mars, nga kulla Eiffel. Zyrtarët thonë se numri i minjve është rritur shumë për shkak të mbeturinave me shumicë. Por, Parisi, sipas tyre, nuk kërcënohet nga ndonjë epidemi e mundshme.

Fushata “Coup de poing” ose godit, bazohet në ngritjen e kurtheve të reja për minjtë, që thuhet se janë miqësore me ambientin, si edhe sensibilizimin e publikut që të mos ushqejë pëllumbat. Kurthe për minjtë po vendosen në disa sheshe të Parisit, mes të cilëve Cambronne dhe Garibaldi si edhe në kullën Saint-Jacques, një monument i famshëm në Rue de Rivoli, që po ashtu është mbyllur.

Banorët në fakt kanë kohë që ankohen duke thënë se turma minjsh shiheshin shpesh gjatë orëve të natës. Edhe koshat e mbeturinave po ridizenjohen në mënyrë që minjtë të mos mund të hyjnë më brenda tyre.

Operacioni anti-minj është një përpjekje e përbashkët e autoriteteve përgjegjëse për pastrimin e rrugëve, parqeve dhe kanalizimeve. Në vitin 2014, video dhe foto që tregonin minjtë në një vend pikniku pranë muzeut të Luvrit në Paris, tërhoqën vëmendjen e mediave. Mendohet se ka rreth 6 milionë brejtës në Paris, e nëse do të bëhej një krahasim, 2.5 minj për çdo banor.