Aktuale

Partitë “dorëlira” me shpenzimet gjatë fushatës – kaq para harxhuan

Partitë politike përdorin strategji të ndryshme për të fituar një rezultat sa më të favorshëm në zgjedhje. E për të arritur qëllimet e tyre ato po shpenzojnë shuma më të mëdha të parave për fushata zgjedhore sesa norma e përcaktuar me ligj. Përderisa partitë politike nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet se sa kanë shpenzuar, a e kanë punuar dhe dorëzuar raportin, nga KQZ-ja thonë se ato kanë filluar ta bëjnë një gjë të tillë. Kurse të gjeturat e deritashme të Demokracisë në Veprim tregojnë se edhe sivjet janë shpenzuar para të majme, pasi janë harxhuar afër 2 milionë e 300 mijë euro nga partitë.

Sipas organizatave joqeveritare që monitorojnë aktivitetet zgjedhore, në bazë të një matje që është bërë për fushatën në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit të këtij viti, subjektet pjesëmarrëse kanë shpenzuar gjithë këto para.

Këto të dhëna i ka bërë të ditur për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus organizata Demokracia në Veprim, e cila i ka monitoruar shpenzimet e kryera nga partitë për zgjedhjet e sivjetme.

Sipas matjeve, mbi 2 milionë euro kanë shkuar vetëm për reklamimet e ndryshme nëpër medie, billbordet e posterët nëpër rrugë, tubimet me përkrahës, e së fundmi edhe sponsorizimet e ndryshme në platforma të internetit.

“Vëzhguesit tanë kanë monitoruar edhe shpenzimet për organizimin e këtyre aktiviteteve, për secilin subjekt politik, ku sipas përllogaritjeve të bëra janë shpenzuar rreth 2 milionë e 293 mijë euro. Vetëm tri ditët e para janë shpenzuar 1 milion e 65 mijë euro”, ka thënë Ngadhnjim Halilaj nga Demokracia në Veprim.

LDK-ja është e para me shpenzime, kurse e dyta ka dalë PDK-ja. E treta është Lëvizja Vetëvendosje e pasuar nga koalicioni AAK-PSD, mandej është koalicioni tjetër Nisma-AKR-PD dhe Lista Serbe, kurse partitë tjera kanë shpenzuar më pak para.

“Bazuar nga raportimi i vëzhguesve që kanë monitoruar shpenzimet e subjekteve politike, dhe nga përllogaritjet e bëra për artikujt e përdorur në aktivitetet e fushatës zgjedhore, LDK ka qenë subjekti që ka shpenzuar më së shumti me rreth 830 mijë euro, e pasuar nga PDK me rreth 477 mijë euro, LVV me rreth 356 mijë euro, koalicioni AAK-PSD me rreth 302 mijë euro, koalicioni NISMA – AKR – PD me rreth 174 mijë euro, Lista Serbe me rreth 91 mijë euro, dhe subjektet e tjera politike me rreth 60 mijë euro”, ka shtuar ai.

FaktePlus ka dërguar pyetje edhe tek partitë kryesore politike, si në LVV, LDK, PDK, AAK, Nisma, të cilat janë pyetur se a kanë dorëzuar raportin për shpenzime financiare, por asnjëra prej tyre deri në publikimin e këtij artikulli nuk është përgjigjur.

Partitë e koalicionet, sipas ligjit kanë kohë 45 ditë që nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve të dërgojnë në KQZ raportin e deklarimit financiar të fushatës zgjedhore. E sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, disa nga subjektet kanë nisur ta dorëzojnë atë në KQZ.

“KQZ-ja i ka njoftuar me kohë subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 6 tetorit se afati i fundit për dorëzimin e raporteve të deklarimit financiar të fushatës zgjedhore është data 20 nëntor 2019, pra 45 ditë pas ditës së mbajtjes së zgjedhjeve. Mund t’iu konfirmoj se subjektet politike kanë filluar të dorëzojnë raportin e deklarimit të financiar të fushatës zgjedhore”, ka thënë Elezi për FaktePlus.

E nëse nuk dorëzohen me kohë këto raporte në KQZ, sipas kërkesave të renditura në Nenin 40 të Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, atëherë komisioni në pajtim me nenin 42 të këtij ligji mund ta ngarkoj subjektin politik me pagesa administrative në pajtim me rregullat, dhe këto pagesa pastaj transferohen në Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës.

Sipas Ligjit për Zgjedhje të përgjithshme, Raporti i Publikimit Financiar të Fushatës i secilit subjekt politik, duke i përfshirë të gjitha degët e tyre dhe pjesët përbërëse, përfshinë publikimin komplet dhe të saktë të: a) të ardhurave të subjektit politik për periudhën raportuese, përfshirë burimin dhe datën e të gjitha kontributeve me para të gatshme; b) të gjitha shpenzimet, përfshirë shpenzimet e fushatës, të bëra nga subjekti gjatë periudhës raportuese; dhe c) një fletë bilanci që i paraqet pasuritë, detyrimet dhe barazimin e subjektit prej ditës së parë deri te dita e fundit e periudhës së raportimit.

Ndërsa Ligji për Financimin e Subjekteve Politike rregullon mënyrën e financimit të subjekteve politike dhe po ashtu parasheh masat ndëshkimore në rast të mospublikimit të raportit.

Sipas ligjit, subjekti politik gjobitet me gjobë bazike me dhjetë për qind (10%) të shumës së realizuar nga Fondi në vitin paraprak nëse nuk e paraqet Raportin Vjetor Financiar dhe Raportin e Deklarimit Financiar të Fushatës në afatin e paraparë me ligj, dhe me gjobë ditore prej 0.01 % të shumë së gjobës bazë, deri në paraqitjen e raportit.

Po ashtu, parashihen gjoba edhe për informacione të pasakta dhe jo të plota lidhur me bilancin e gjendjes, pasqyrën e fitimit e humbjes e mungesën e kopjes së dokumentacionit. /FaktePlus