Aktuale

As pas 17 viteve nuk janë dënuar personat që vranë 7 civilë në Zhegër

Tre dhëmbët e thyer ia kujtojnë çdo ditë Sadri Tahirit vëllanë e vrarë, Shyqëri Tahirin nga paramilitarët serbë.

Shtëpia e tyre, më 31 mars të vitit 1999, ishte rrethuar pasdite nga forcat e ushtrisë serbe.

Ai ua kishte hapur derën e oborrit, por pa ndërruar ende asnjë fjalë me ta ishte goditur me automatik, duke ia thyer dhëmbët. I kishin kërkuar që të tregonte se ku janë familjarët e tjerë.

Të gjithë ishin urdhëruar që të dilnin në oborr dhe prej tyre e kishin ndarë vetëm të ndjerin, Shyqëri Tahiri.

E kishin vrarë para syve të familjarëve, siç thotë, me 36 plumba. Këtë ngjarje, Tahiri e ka rrëfyer për “Kohën Ditore” një ditë pas arrestimit të Vlado Zmajeviqit, njërit prej të dyshuarve për vrasjen mizore të shtatë civilëve shqiptarë në këtë fshat gjatë luftës së fundit në Kosovë.