Aktuale

Pas “bisedës së ashpër” me Vuçiqin, diplomati amerikan zhvillon takim të qetë me Thaçin

Presidenti Hashim Thaçi ka pritur drejtorin për Evropën Qendrore dhe Jugore të SHBA-së, Matthew Palmer. Gjersa në mediat serbe thuhej se dje diplomati amerikan shkëmbeu “fjalë të ashpra” me Presidentin serb Aleksander Vuçiq në Beograd, sipas komunikatës së Presidencës Palmer e Thaçi patën një takim të qetë sot në Prishtinë.

Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova është e përkushtuar për paqe të qëndrueshme në rajon, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Presidenca, pas takimit.

“Kosova është e gatshme për fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë dhe është e përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme që forcon paqen në rajon dhe në tërë kontinentin e Evropës”, është shprehur presidenti Thaçi.

Ndërsa, Matthew Palmer, drejtor për Evropën Qendrore dhe Jugore i SHBA-së, ka rikonfirmuar edhe një herë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rrugëtimin evropian të Kosovës.

Presidenti Thaçi dhe drejtori Palmer kanë vlerësuar se vetëm dialogu çon drejt stabilitetit rajonal dhe paqes afatgjate, si dhe mbetet mekanizmi i vetëm dhe i pazëvendësueshëm për zgjidhjen e problemeve në rajonin tonë.