Sport

Payet kërkon të largohet, refuzon të luajë për West Hamin

Dimitri Payet nuk është i lumtur te skuadra londineze.

Reprezentuesi francez ka mahnitur të gjithë me paraqitjet e tij në stinorin e shkuar me fanellën e West Hamit si dhe në Euro 2016 me kombëtaren e tij, duke u bërë një objektiv për shumë skuadra të mëdha evropiane.

Por West Ham ka refuzuar ta shiste lojtarin gjatë verës, ndërsa gjatë këtij afati kalimtar ai i ka kërkuar klubit që ta shesë pasi që nuk do që të luajë më aty.

Këtë lajm e ka konfirmuar trajneri Slaven Biliç i cili insiston që ta mbajë lojtarin edhe më tutje në skuadër.

“Kam një problem me një futbollist. Ai është Dimitri Payet që kërkon të largohet”, ka thënë Biliç për mediat kroate.

“Ne i kemi treguar që nuk kemi në plan të shesim lojtarët më të mirë, por ai nuk do që të luajë për ne. Nuk duam që ta shesim”.

“Kam folur edhe me presidentin dhe i kemi treguar që paratë nuk janë një problem. I kemi ofruar një kontratë të gjatë pasi duam që ai të qëndrojë”, ka përfunduar Biliç.

Payet ka një kontratë me West Ham deri në vitin 2021.