Aktuale

PDK në Drenas po detyron nxënësit të shkojnë në tubime partiake

“Turpi i këtij shteti të kapur ka zbarkuar i tëri në Drenas, dhe nuk po lenë formë pa përdorur për të ngulfatur vullnetin e qytetarëve të Drenasit me darka të dhunshme, me shantazhe dhe frikësime, sepse e kanë parë se Drenasi ka vendosur të ndryshoj”, kështu nis shënimi që ka postuar kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, në faqen e tij në facebook.

Sipas Limajt, PDK është duke i mbyllur edhe shkollat në fshatrat e Drenasit, duke i detyruar nxënësit e mësimdhënësit që të shkojnë në tubimet e partisë së Kadri Veselit.

“Ftoj vëzhgues të pavarur nëse ka mbetur ndonjë, ftoj organizatat të monitorojnë se çfarë po ndodh në Drenas, ftoj mediat t’i përcjellin zhvillimet në këtë komunë, sepse është rasti që për herë të parë qytetarit të Drenasit të mos i devijohet vullneti i tij. Gjithashtu, ftoj edhe monitoruesit ndërkombëtar këtu në Kosovë që të angazhohen e të mbikëqyrin zgjedhjet në Drenas. Nëse të gjithë kontribuojmë në këtë aspekt atëherë do të mundemi që ta ndalojmë aparatin shtetëror që të mos përdorë shtetin kundër procesit demokratik zgjedhor”, ka shënuar Limaj në facebook. /KosovaPress/